Filmi ka të bëjë me vitet e turbullta 1990 në Rusi pas rënies së Bashkimit Sovjetik, duke u fokusuar tek ata që ndihmuan në sjelljen e Putinit në pushtet.

“A keni menduar ndonjëherë se kur dhe si shkoi gjithçka keq?”, pyet Maria Pevçiç, një mike e fortë e kundërshtarit të Kremlinit, Alexei Navalny, në prezantimin e filmit të fundit të ekipit të tij. Me “gjithçka” Maria Pevçiç nënkupton sundimin autoritar të presidentit rus Vladimir Putin, masat represive kundër disidentëve, varfërinë e shumë rusëve dhe luftën kundër Ukrainës.

Sipas Deutsche Welle, “Tradhtar” titullohet shfaqja, e cila flet për vitet e turbullta 1990 në Rusi pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Ajo tashmë ka ndezur një debat të nxehtë në opozitën ruse për të kaluarën e saj. Maria Pevçiç ishte drejtuese e fondacionit kundër korrupsionit të Navalny-t dhe është më e njohur për zbulimet e saj për pasurimin e paligjshëm të miqve dhe të afërmve të Putinit.

Megjithatë, filmi i fundit nuk flet aq shumë për vetë Vladimir Putinin, por për të gjithë ata që e ndihmuan të merrte pushtetin. Është shfaqur tashmë në YouTube me titra dhe ka regjistruar miliona klikime. Së shpejti do të vijë pjesa e tretë.

Etja për pushtet dhe para

“Tradhtari” është një rrëfim i Presidentit të parë të Rusisë Boris Jelcin, i cili sundoi nga viti 1991 deri në 1999 dhe punoi me oligarkë të pasur që grumbulluan pasurinë e tyre me mjete të dyshimta.

Maria Pevçiç detajon karrierën e njerëzve të pasur si Roman Abramovich dhe Boris Berezovsky. Ata blenë në valën e madhe të privatizimit shumë ndërmarrje shtetërore, ndërsa shumë rusë të thjeshtë u dhanë paratë e tyre mashtruesve dhe humbën kapitalin e tyre. Shfaqja përshkruan se si elita e re financiare, jo vetëm bankat dhe rafineritë e kontrolluara të naftës, por edhe stacionet e mëdha televizive, ndihmuan brenda një periudhe të shkurtër kohore për të rizgjedhur Jelcin në 1996 dhe më vonë Putin për të hyrë në Kremlin.

“Sundimi i Putinit sot është rezultat i kësaj klike të korruptuar, e cila dikur u ndërtua nga paraardhësi i Jelcinit dhe që i dha formë politikës së vendit. Rusia kishte një shans për demokraci, por Jelcini alkoolik dhe ‘tradhtarët’ e tjerë të pushtetit dhe të parave e humbën atë. Sot shohim se po e çojnë vendin në humnerë”, thotë Maria Pevcits.

Reagime por edhe humor për vazhdimin e filmave

Seria e filmave u bazua në një ese të titulluar “Frika ime dhe urrejtja ime”, të cilën Navalny e shkroi në burg në vitin 2023 dhe ndoshta arriti në botën e jashtme përmes avokatëve të tij. Julia Navalnay, e cila dëshiron të vazhdojë punën politike të të shoqit, promovon serinë e filmave. Por videot përmbajnë materiale shpërthyese edhe për njerëz që më vonë kundërshtuan shefin e Kremlinit.

Por jo të gjithë janë dakord me këtë kritikë të ashpër. Analisti politik Sergei Parkhomenko i gjen të padrejta kritikat ndaj Presidentit Jelcin dhe thekson se pas dekadash diktaturë sovjetike ai solli edhe liri të reja, reforma dhe procese demokratizimi. Gjithashtu shumë besojnë se nuk ka asnjë dobi të kesh një front tjetër brenda vendit në mes të luftës me Ukrainën. Megjithatë, ekipi i Navalny-t thotë se ata janë të vendosur të vazhdojnë me zbulimet dhe të vazhdojnë xhirimet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re