Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj teksa po diskutohej për projektligjin për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme ka folur për politikanët e pasuruar në vendin tonë në këto 30 vite.

“Nuk jam eksperti i pasurisë as i asaj që duket dhe as i asaj që nuk duket. Nuk jam i pasur, por jo i mërzitur, por kjo është një zgjedhje që më bënë të tjerët. Shtëpia ime është e vogël, por dritaret hapen në një botë të pafundme.

Prandaj jam këtu, për të mbrojtur bindjet e mia, interesin e shqiptarëve dhe jo bizneset e mia, jo investimet e mia, jo miqtë oligarkë, jo rrugët për ta, jo fshatrat turistik për ta. Jo tokat e grabitura në bregdet, jo taksat e vjedhura, jo përqindjet nga tenderat, jo deputetët apo ministrat dhe kryebashkiakët hajdutë.

Nuk kam ndërmend të merrem me pr/ligjin, mund të jetë i mirë ose i keq. Por në thelb gjithçka ndryshon që gjithçka të mbetet njësoj. Edi Rama na i ka konfirmuar këtë postulat, qeveria dhe pasuria rrinë si nëna dhe bija, atje lart ku është e ëmbël hija. Pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme kanë krijuar njerëzit e pushtetit, bizneset dhe mediat afër tyre.

Asgjë më të dukshme në Shqipëri nuk ka sesa ajo që është fshehur. Asgjë më të turpshme nuk ka sesa përpjekja për ti bërë moral një shoqërie pasi e ke vjedhur atë. Më kriminale është që me paratë e saj i blen votën me të cilën i shton pasurinë dhe mban atë të varfër.

Të jesh i pasur pa arrogancë nuk kushton asgjë thotë Konfuci, por në vendin tonë pasuria sidomos e bërë me vjedhje me lëpirje bën zhurme, kërcet dhe bërtet.

Atë e demonstrojnë baballarët në darkat e shtrenjta, ku shampanja  derdhet tek pishina, aq sa ka dalë edhe kënga “të lagim me shampanjë” Atë e demonstrojnë gratë në parukeri , apo në kafen e lagjes, fëmijët në shkollë apo pasdite me makinat e tyre të shpejtësisë.

Akraballëku i vozitjes së tyre sociale shkëlqen si puçërr me qelb në ballin e një vendi të strukur në hallet e veta. Kjo pasuri e luajtshme dhe e paluajtshme po vret shanset e barabarta për fëmijët, për prindërit për qytetarët që janë të detyruar të japin dhe jo të marrin.

Kjo pasuri e ka bërë politikën shqiptare aq agresive dhe shpesh të poshtër, lufta për të i ka denatyruar asaj thelbin, josha prej saj e mban të pambarim tranzicionin, dhe fabrikë parash të pista, aktorë që kërkojnë të mbajnë peng kohën me hakërrime.

Kjo pasuri i ka bërë individët dele dhe shefat ujq, kjo pasuri ka modifikuar krenarinë dhe dinjitetin prej saj heshtja triumfon mbi fjalën.

Kjo pasuri i ka rinuar politikanët shqiptar, aq sa mendojnë se janë të përjetshëm, të pavdekshëm, hyjnorë, ata janë botoksi ynë”, tha Gjekmarkaj.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re