Tomori do të luajë sot (të shtunën) ndeshjen që mund të vendosë fatet e sezonit për të. Beratasit do të përballen me Turbinën në transfertë, në një takim ku u duhet vetëm fitorja, pasi çdo rezultat tjetër i zbret automatikisht në Kategorinë e Dytë. Mësohet se drejtuesit e klubit i kanë kërkuar FSHF-së një gjyqtar me stemën e FIFA-s në këtë takim. Ndërsa besojnë se kërkesa e tyre do të pranohet duke pasur parasysh faktin që ndeshja do të luhet të shtunën dhe atë ditë nuk ka asnjë sfidë të Superiores.

Gjithashtu, mësohet se drejtuesit e klubit kanë vendosur premio për ekipin në rast fitoreje në Cërrik, çka do t’i jepte shumë shpresë për mbijetesën.

MILE Ish-futbollisti beratas, Vangjel Mile, nëpërmjet një prononcimi për “Panorama Sport”, ka folur mbi situatën që po përjeton skuadra e tij e vendlindjes. Ai ka thënë se lojtarët duhet të jenë më të fortë se kurrë në këto momente, pasi përfaqësojnë një fanellë të rëndë, për të cilën kanë sakrifikuar ikona, si Përparim Kovaçi, Kristaq Mile, Dinastia Arbri e me radhë.

“Ndihem i shqetësuar kur e shikoj skuadrën beratase në atë gjendje që ndodhet aktualisht. Në fillim u ndërtua një skuadër e mirë dhe u përfol për rikthimin në Kategorinë Superiore, mirëpo jam i çuditur sesi gjërat morën në këtë mënyrë. Është shumë e vështirë që gabimet t’i rikuperosh në këtë periudhë, pasi kanë ngelur vetëm dy ndeshje nga fundi i kampionatit dhe gjithsecili është ne laps në dorë. Megjithatë, unë do t’u bëja thirrje lojtarëve që të bashkohen dhe të jenë të fortë më shumë se kurrë, pasi kanë mbi shpatulla një fanellë që rëndon jashtëzakonisht. Për atë fanellë kanë sakrifikuar ikona të futbollit beratas dhe jo vetëm, siç janë: Përparim Kovaçi, Kristaq Mile, Dinastia Arbri e kështu me radhë. Ata duhet të jenë të privilegjuar dhe me kokën lart, pasi kundërshtarët i tremb vetëm emri dhe historia që ai klub ka. Por, në qoftë se edhe ata do të japin maksimumin, unë jam i bindur se askush nuk mund t’i ndalë drejt suksesit”, tha Mile./PanoramaSport

LIKE FAQES NE FACEBOOK PER LAJME TE NGJASHME