Këshilli Politik do të diskutoi të martën mbi paketën e re të reformës zgjedhore atë të financimit të partive politike në fushatën zgjedhore.

Në paketën e opozitës, Partia Demokratike është tërhequr nga varianti për të mos pasur financime private në zgjedhje, vetëm shtetërore.

Propozimi për financime është mikse dhe se risia më e madhe e projektligjit konsiston në reduktimin drastik të masës së financimit privat të subjekteve zgjedhore, gjatë fushatave zgjedhore, i cili nuk duhet të jetë më i madh se 50 % i masës së financimit të cilin subjektet e kanë përfituar nga buxheti i shtetit. Ndërsa propozimet më të forta është deri te heqja e mandatit të deputetit.

Në nenin 10 të projektligjit, përcaktohet se “Fondi i përcaktuar me vendim të Kuvendit, sipas pikës 1 të nenit 8 të këtij ligji, u shpërndahet partive të regjistruara si subjekte zgjedhore si më poshtë:

a) 90 për qind e fondit i shpërndahet partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore të cilat kanë marrë jo më pak se 0.5 për qind të votave të vlefshme në zgjedhjet pararendëse dhe b) 10 për qind e fondit i shpërndahet partive politike dhe kandidatëve të pavarur të regjistruar si subjekte zgjedhore dhe që nuk përfitojnë sipas shkronjës “a” të këtij neni”. Fondi i mësipërm u shpërndahet partive politike paradhënie, përpara zhvillimit të zgjedhjeve.

Fondi i përcaktuar fondi i parë për subjektet politike që kanë marrë 0,5% në zgjedhje llogaritet duke pjesëtuar këtë fond me totalin e votave të vlefshme të grumbulluara nga partitë politike. Herësi i dalë nga ky pjesëtim shumëzohet me numrin e votave të vlefshme që ka marrë partia politike përkatëse në zgjedhjet paraardhëse. Ndërsa 10 % e fundit, ndahet duke pjesëtuar këtë fond me numrin e partive politike që përfitojnë, por në asnjë rast kjo shumë nuk mund të jetë më e madhe se shuma më e vogël e përfituar nga një parti, sipas skemës së parë.

Drafti i financimeve politike

Ndërsa në një nen të posaçëm do të ndalohet financimi i fushatave politike që ka përfituar fonde publike, kontrata publike apo koncesione në 4 vitet e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë. Duke përfshirë edhe ato që kanë përifituar nga koncensionet, PPP-të, apo në rastin e nënkontraktimeve apo të kontratave te partneritetit publik privat. Gjithashtu nuk do të lejohet financimi në fushata nga pronarët e mediave, apo nga personat që kanë qenë partner me fonde publike në projekte të ndryshme, apo dhe rezultojnë ka detyrime monetare ndaj Buxhetit të Shtetit ose ndaj çdo institucioni publik.

Ky detyrim nuk zbatohet nëse aksionari i zotëron këto aksione si rezultat i ofertës publike. Personat fizikë ose personat juridikë apo personat e lidhur deri ne shkalle te trete që i kanë bërë dhurime një partie politike apo kandidati në zgjedhje nuk mund të përfitojnë për periudhën deri 4 vjet pas datës së zgjedhjeve, kontrata publike, kontrata të partneritetit publik privat ose në çdo mënyrë tjetër fonde me vlerën totale që tejkalon shumën prej 10 milion lekë, përfshirë edhe si nënkontraktues të një kontrate/koncesioni publik. Ndërsa është përcaktuar se financuesit e zgjedhjeve nuk do të përfitojnë fonde apo tendera publikë për katër vitet e ardhshme. “Personat fizikë ose personat juridikë apo personat e lidhur deri në shkalle te trete që i kanë bërë dhurime një partie politike apo kandidati në zgjedhje nuk mund të përfitojnë për periudhën deri 4 vjet pas datës së zgjedhjeve, kontrata publike, kontrata të partneritetit publik privat ose në çdo mënyrë mënyrë tjetër fonde me vlerën totale që tejkalon shumën prej 10 milion lekë, përfshirë edhe si nënkontraktues të një kontrate/koncesioni publik”, theksohet në dispozitat e këtij drafti.

Masa më e fortë ekstreme është heqja e mandatit nëse vërtetohet se shkelja përbën vepër penale. Për këtë vendoset që mandati për deputetët apo këshilltarët bashkiakë t’i jepet një partie tjetër brenda koalicionit ose partisë së ka më shumë vota. “Shkelja e dispozitave për financimin e partive politike, nga partia politike kur përbën vepër penale, sjell shpalljen e pavlefshmërisë së mandatit dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit të fundit të fituar nga partia politike në zonën zgjedhore me numrin më të madh të votave. Në këtë rast mandati i kalon partisë me herësin më të madh brenda koalicionit kur partia është pjesë e koalicionit ose partisë në radhë me herësin më të madh kur partia garon më vete”, thuhet në pikën 2 të nenit 30 të draftit. Ndërsa financimet e fushatës së partive do t’i kontrollojnë partitë politike rivale, duke bërë që procesi të jetë me efektiv mbi mënyrën e kryerjes së shpenzimeve betejat elektorale.

Sipas draftit, ndalohet ndihma financiare dhe materiale nga qeveri dhe nga ente publike ose private të huaja, si dhe nga ente vendase publike ose me pjesëmarrje të kapitalit shtetëror, ndërsa lejohen dhuratat dhe ndihmat që vijnë nga parti ose bashkime ndërkombëtare partish, nga organizata e fondacione politike, vendase e të huaja, si dhe nga individë, persona fizikë e juridikë privatë vendas.

Risitë e financimeve

Financimi privat nuk duhet të jetë më i madh se 50 % i masës së financimit, të cilin subjektet e kanë përfituar nga buxheti i shtetit.

Nuk lejohet të dhurojnë ata që kanë përfituar nga kontratat shtetërore 4 vitet e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë.
Personat apo kompanitë që dhurojnë për kandidatët dhe partitë në zgjedhje përjashtohen për 4 vjet nga përfitimi i kontratave shtetërore mbi 10 milionë lekë.

Kontroll i ndërsjelltë i shpenzimeve financiare të partive në zgjedhje nga partitë rivale.
Verifikim direkt nga ekspertët e partive të transaksioneve financiare në bankat e nivelit të dytë përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Pavlefshmëri e mandatit dhe përfundim i parakohshëm i mandatit nga KQZ-ja për të zgjedhurin ose subjektin zgjedhor, kur shkelja e dispozitave për financimin e partive politike përbën vepër penale.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re