Iku koha kur partitë politike financimet i deklaronin në copa letre, tanimë ato do të kryhen vetëm elektronikisht.

Me flamurin e të parit vend në rajonin e Ballkanit, të gjitha paratë që përfundojnë në arkën e partive politike dhe shpenzimet që ato kryejnë për fushatën zgjedhore, do të deklarohen në platformën elektronike për raportimin financiar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

 

Prova e parë për të përmirësuar transparencën e financimit të fushatave zgjedhore, do të jenë vendoret e majit.

 

CHRISTIANE HOHMANN

AMBASADORE E BE NE TIRANE

 

Të luftojmë jo vetëm preceptimin por edhe realitetin e korrupsionit. Të forcohet besimi te qytetarët në realizimin e proceseve zgjedhore me transparence. Partitë politike të përpiqen për transparence dhe kjo lidhet edhe me vetë kandidatët që të japin llogari.

 

Deklarimi i të ardhurave dhe shpenzimeve nga ato me burim buxhetin e shtetit dhe privatin, mbetet një nga shqetësimet kryesore në raportet e ndërkombëtarëve. Në atë të fundit, të bërë nga vetë KQZ për parlamentaret e 2021-it, kishte fshehje të dukshme të burimit të financimit dhe parave të shpenzuara, kryesisht nga forcat kryesore politike.

 

Me gjithë digjitalizimin dhe parashikimin në kodin zgjedhor që njeh si burime financimi buxhetin e shtetit, të ardhurat e vetë subjektit, dhuratat, huatë dhe kreditë, identifikimi i financimeve si në mediat online, në rrjetet sociale apo ato të paligjshme nga jashtë vendit mbeten ende të parregulluara me ligj. Për këtë arsye, ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Christiane Hohmann, i kërkoi komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, që prej një viti nuk ka prodhuar asnjë vendimmarrje ligjore, të nisë punën për parlamentaret e 2025-ës.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re