Skip to content

Finlanda, Letonia, Estonia dhe Polonia dënojnë sulmin ndaj spitalit në Gazë

Zyrtarë të nivelit të lartë nga Finlanda, Letonia, Estonia dhe Polonia dënuan sulmin ndaj Spitalit Al-Ahli Baptist në Gaza në postimet e tyre në llogaritë e rrjetit sociale X.

Presidenti i Finlandës, Sauli Niinistö, deklaroi se sulmi në Spitalin Al-Ahli Baptist në Gaza ishte “i tmerrshëm” dhe shtoi se, “Sulmet kundër civilëve janë të papranueshme. E drejta ndërkombëtare humanitare duhet të respektohet në të gjitha rrethanat dhe shkeljet duhet të hetohen”.

Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkevics tha: “Goditja ndaj spitaleve dhe vrasja e civilëve të pafajshëm është e mjerueshme dhe e papranueshme. Këta njerëz mbrohen sipas ligjit ndërkombëtar humanitar. Të gjitha faktet dhe përgjegjësia duhet të zbulohen. Ne shprehim ngushëllimet tona për të afërmit e atyre që humbën jetën në spitalin në Gaza”.

Ministri i Punëve të Jashtme të Letonisë, Krisjanis Karins, tha se ishte thellësisht i pikëlluar nga sulmi dhe theksoi se, “Duhet të mbrohet e gjithë jeta civile. Duhet të kryhet një hetim gjithëpërfshirës dhe autorët të mbahen përgjegjës”.

Ministrja e Jashtme finlandeze, Elina Valtonen tha: “Jam thellësisht e pikëlluar nga sulmi në spitalin Al-Ahli Baptist. Humbja e jetëve të qindra civilëve shton tmerrin dhe vuajtjen që kemi dëshmuar në Lindjen e Mesme ditët e fundit. Këto akte në kundërshtim me ligjin humanitar duhet të hetohen me kujdes”.

Ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, gjithashtu nënvizoi se humbja e jetëve në spitalin në Gaza ishte “zemërthyese”. “Jetët e civilëve të pafajshëm duhet të mbrohen. Unë bëj thirrje që të kryhet një hetim gjithëpërfshirës dhe autorët të mbahen përgjegjës”.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Polonisë, Arkadiusz Mularczyk në deklaratën e tij për Anadolu tha, “Nuk mund të ketë asnjë justifikim për bombardimin e spitalit në Gaza dhe vdekjen e qindra civilëve të pafajshëm. Ata që janë përgjegjës për këtë krim duhet të dalin para drejtësisë”.

Konflikti Izrael-Palestinë

Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Izz ad-Din al-Qassam, nisi një sulm gjithëpërfshirës ndaj Izraelit në mëngjesin e 7 tetorit, të quajtur “Tufani i Aksasë”.

Ndërsa mijëra raketa u hodhën nga Gaza drejt Izraelit, grupet e armatosura palestineze bastisën dhe morën nën kontroll Portën Kufitare Beit Hanun-Erez në kufirin Gaza-Izrael.

Grupet e armatosura më pas hynë nga këtu në vendbanimet brenda Izraelit dhe ushtria izraelite nisi një sulm në Rripin e Gazës me dhjetëra avionë luftarakë.

Raportohet se 1.405 izraelitë, përfshirë 304 ushtarë, vdiqën dhe 3.968 izraelitë u plagosën në sulmet e kryera nga Gaza.

Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se 3 mijë persona humbën jetën dhe 12.500 u plagosën në Gaza nga sulmet e Izraelit.

Thuhet se 62 palestinezë vdiqën dhe rreth 1.250 njerëz u plagosën në sulmet e forcave izraelite dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Në sulmet izraelite humbën jetën edhe 13 gazetarë.

Në përleshjet që nisën mes ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut në kufirin me Libanin më 8 tetor, humbën jetën 8 anëtarë të Hezbollahut, 2 anëtarë të Xhihadit Islamik, 1 gazetar dhe 2 civilë.

Në sulmet e kryera nga Libani humbën jetën 2 ushtarë izraelitë dhe 1 civil izraelit.

Së fundi, të paktën 500 njerëz humbën jetën në sulmin e Izraelit në Spitalin Al-Ahli Baptist në Gaza.
Burimi: AA