Kryeministrja finlandeze, Sanna Marin, ka deklaruar se ajo beson se problemi në lidhje me kundërshtimin e Turqisë ndaj Finlandës dhe Suedisë për anëtarësimin në NATO do të zgjidhjet para samitit të aleancës që do të mbahet në fund të muajit në Madrid.

Komentet e kryeministres Marin erdhën në një konferencë për media në kryeqytetin Zagreb me homologun e saj kroat, Andrej Plenkoviq.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje, ajo tha se beson se do të arrihet zgjidhje për kundërshtimin e Türkiye-s ndaj anëtarësimit të dy vendeve nordike në NATO, duke marrë parasysh politikën e dyerve të hapura të NATO-s.

Samiti i liderëve të NATO-s është planifikuar të mbahet më 29 dhe 30 qershor.

Plenkoviq, nga ana e tij, tha se Kroacia mbështet Finlandën në përpjekjen e saj për anëtarësim në NATO.

“Ne respektojmë vendimin e Finlandës për t’u bërë anëtare e NATO-s. Finlanda dhe Suedia po ashtu e duan ombrellën e sigurisë së NATO-s. Kroacia është e vetëdijshme për rëndësinë e NATO-s në botën e sotme. Finlanda ka një kufi me Rusinë”, tha Plenkoviq.

Muajin e kaluar, Suedia dhe Finlanda aplikuan zyrtarisht për t’u anëtarësuar në NATO, vendim i nxitur nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, që filloi më 24 shkurt.

Por Turqia, një anëtare e kahershme e aleancës, ka shprehur kundërshtime ndaj anëtarësimit të dy vendeve në NATO, duke kritikuar vendet për tolerimin dhe madje edhe mbështetjen e grupeve terroriste.

Në fushatën e saj terroriste mbi 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG-ja është dega siriane e grupit terrorist PKK.

Sipas zëdhënësit të presidencës turke, İbrahim Kalın, Ankaraja i ka bërë thirrje Stokholmit dhe Helsinkit që të parandalojë grupin terrorist nga mbledhja e fondeve, rekrutimi i anëtarëve të ri, si dhe të garantojë se do t’i japë fund aktiviteteve dhe propagandës së grupit terrorist kundër Turqisë.

Kryeministrja finlandeze dhe homologu i saj kroat në konferencën për media po ashtu thanë se janë pajtuar për t’i dhënë Ukrainës statusin e një vendi kandidat për në BE.

Marin gjithashtu u takua me presidentin kroat, Zoran Milanoviq, ndërkohë në ditët e fundit vizitoi edhe Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re