Një gjykatë në Finlandë shpalli të premten dy gazetarë nga e përditshmja më e madhe Helsingin Sanomat si fajtorë për publikimin e informacionit të klasifikuar ushtarak, në një rast të rrallë penal të kufizimeve të lirisë së medias në vendin nordik.

Gjykata e Qarkut të Helsinkit dënoi Tuom Pietilainen, autorin kryesor të raportit të vitit 2017 “Vendi më sekret në Finlandë”, ndërsa kolegia e tij Laura Halminen, megjithëse u shpall fajtore, mbeti e pandëshkuar për rolin e saj mbështetës në artikullin e gazetës.

Për vite, Finlanda ka qenë në krye të vendeve me lirinë më të madhe të medias sipas Reporterëve pa Kufi (RSF), por vitin e kaluar ajo ra në vendin e pestë në listën prej 180 vendeve, pjesërisht për shkak të rastit të përmendur.

“Nëse një gjykatë në Finlandë, vendi i renditur më lart sipas indeksit të lirisë së shtypit, ndjek penalisht gazetarët për raportim për çështje të sigurisë kombëtare, çfarë lloj mesazhi u dërgon kjo vendeve të renditura më të ulëta?”, pyetet në deklaratën e RSF, duke shtuar se është një “precedent i rrezikshëm”.

Një raport nga gazeta Helsingin Sanomat publikoi të dhëna dhjetëvjeçare mbi vendndodhjen dhe detyrat e një njësie të inteligjencës së mbrojtjes, ndërsa Parlamenti debatonte nëse do të zgjeronte kompetencat e tij për të monitoruar të dhënat private në rrjetet dixhitale.

Në një deklaratë, gjykata deklaroi se gazeta botoi “informacione në lidhje me shërbimin e inteligjencës ushtarake të shënuara top sekret, për shkak të sigurisë së jashtme finlandeze”.

Gjykata vendosi gjithashtu se të dhënat e publikuara nuk kishin asnjë lidhje me ligjin e diskutuar në Parlament dhe se artikulli i gazetës nuk zbuloi ndonjë problem apo abuzim që do të justifikonte publikimin e tekstit.

Kryeredaktori i Helsingin Sanomat, Antero Mukka tha se ishte i zhgënjyer me vendimin dhe se, pavarësisht dënimit të lehtë, i ishte bërë dëm lirisë së medias.

Gazetarët mund të apelojnë vendimin.

Prokurorët kërkuan një dënim me kusht me burg prej të paktën 18 muajsh për gazetarët dhe kryeredaktorin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re