Fiqiri Çifligu nga Drejtoria e Arsimit Parauniersitar deklaroi se shkollat nuk janë vatra infeksioni. Në një intervistë për edicionin e lajmeve në “Vizion Plus”, Çifligu u shpreh se mungesat këtë vit janë në të njëjtat shifra me ato të një viti më parë. Sipas tij, ka shpresë që këtë vit, nxënësit ta mbyllin në bankat e shkollës dhe jo online.

 

“Gjërat kanë ecur shumë mirë, vazhdojmë shkollën me një turn e me dy turne. Shkollat nuk janë vatra të infkesionit. Ka patur raste sigurisht, por janë sporadike, të shtrira në të gjithë Shqipërinë. Në asnjë rast nuk ka patur raste të nxehta që mund të bëhen vatra. Kjo duket qartë edhe nga numri i mësuesve të zëvendësuar, deri tani ne kemi përdorur rreth 200 kuota nga 1 mijë mësues zëvendësues. Është një shifër që përditësohet çdo ditë. Situata është e favorshme për ta mbyllur shkollën këtë vit në banka. Ne mbajmë statistika për numrin e mësuesve dhe të nxënësve që mungojnë çdo ditë në shkolla. Është një risi që çdo shkollë ka punonjësin shëndetësor që ndjek procesin mësimor deri në fund të ditës. Numri i mungesave është thuajse i njëjtë me vitet e mëparshme. Pandemia nuk ka ndikuar në shkolla. Jemi në të njëjtat shifra me vitin e kaluar.”

 

Ai shtoi se e vetmja shkollë që është mbyllur totalisht është vetëm një në Kavajë për shkak të infektimit të mësuesve. Por Çifligu sqaroi se gjatë kësaj jave ata do të rikthehen në punë. Sa i takon pyetjes nëse rrezikojmë një mbyllje të dytë të shkollave, ai tha se ky vendim i takon Komitetit të Ekspertëve. Por nënvizoi se për çdo rast, Ministria e Arsimit është e përgatitur.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re