Pas dyshimeve se një prej kompanive që do ndërtojnë një Lot të Unazës së Re të Tiranës ka fallsifikuar dokumentat, kreu demokrat Basha, i cili politikisht ka ngritur një “çadër” të “Astiri” për çdo mbrëmje, duke mbajtur lart tempin e atyre që protestojnë kundër prishjes së banesave, ka vënë në shënjestër të akuzave ministrin Gjiknuri.

“Shkoni e pyesin Damian Gjiknurin, çfarë bënte në SHBA më 25 Qershor, ditën kur u themelua edhe kompania fantazmë. Sot në burg nuk duhet të jenë banorët që mbrojnë pronën e tyre nga paligjshmëria, por duhet të jetë Damian Gjiknuri dhe pronarët e kompanive që sollën këtë projekt të pakërkuar, për të ngritur një aferë korruptive”, tha Basha.

E ndërkohë, para kësaj akuze, Gjiknuri bëri një koment në FB, duke e patur dhe para-përgjigjen për kreun demokrat.

“Atyre që duan të bëjnë politikë me Unazën e Re dhe kujtojnë se gjetën shtegun e revolucionit, pasi u katandisën me 100 protestues profesionistë të Bashkisë Kamëz nga mbrapa, u them kaq:

Ndryshe nga ju që kur qeverisnit shisnit Shqipërinë me letra fallco, sot autoritetet e shtetit po bëjnë detyrën.

ARRSH ka pezulluar projektin për lotin nr.1.

Unë si ministër i jam drejtuar autoriteteve amerikane për verifikimin zyrtar të shqetësimit të bërë publik në media.

Kompania në fjalë nuk ka marrë asnjë qindarkë nga Buxheti i Shtetit dhe garancia e saj financiare do të sekuestrohet, në rast se dokumentat e paraqitura prej tyre në garë nuk janë autentike.

Në fillim-javën e ardhshme, presim përgjigjen e autoriteteve amerikane. Nëse përgjigja do të konfirmojë falsifikimin e dokumenteve nga kompania, atëherë padiskutim do të reagojmë menjëhere me zgjidhjen e njëanshme të kontratës dhe referimin e rastit pranë organeve të drejtësisë.

Ky është dallimi i madh mes nesh dhe jush. Ne nuk i fshihemi asnjë përgjegjësie shteterore dhe as kemi gjë për të fshehur. E thënë ndryshe, shqetësimi juaj është si të shisni baltë për të mbuluar të kaluarën tuaj, ndërsa qëllimi ynë është si të hapim rrugët e zhvillimit të Shqipërisë që ju rrënuat”, u shpreh Gjiknuri.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re