Grupi i Këshilltarëve të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, në Këshillin Bashkiak Tiranë përfaqësuar nga Silva Caka dhe Genc Gjokutaj kanë depozituar sot në Gjykatën Administrative një padi kundër kryebashkiakut Erion Veliaj.

Në kallëzimin e tyre, grupi i Këshilltarëve pretendon se kryebashkiaku Veliaj ka refuzuar të bënte betimin për të marrë mandatin në mbledhjen e këshillit Bashkiak, por vendosi ta realizonte përmes një ceremonie të veçuar në tarracën e bashkisë.

Në një deklaratë për mediat, përfaqësuesja Caka tha se Veliaj nuk respektoi procedurat.

“Në 20 qershor të këtij viti u njoftua mbledhja e parë e Këshillit Bashkiak. Ajo që nuk funksionoi në mbledhjen e parë ishte pika e parë e rendit të ditës, që ishte shpallja e vlefshmërisë së mandatit dhe betimit për kryetarin e Bashkisë. Kushtetua e ka të përcaktuar se betimi është parakusht për fillimin e detyrës, edhe sipas rregullores. Mos respektimi i tyre e bën këtë proces të pavlefshëm. Kryetarja e Këshillit nuk respektoi ligjin, ndaj u bashkua në procesin antikushtetues në betimin e kryebashkiakut në tarracën e bashkisë. Ndaj kemi depozituar padi kundër këtij veprimi”, tha Caka.

Ndërkohë, Genc Gjokutaj tha se Tirana sot ligjërisht nuk ka një kryetar bashkie pasi Veliaj, nuk realizoi betimin me ligj që kërkon Kushtetuta.

“Sot Tirana nuk ka një kryetar bashkie, ai nuk e ka bërë betimin aty ky e kërkon ligji. Ne kemi ndërmarrë këtë nismë për t’i treguar Erion Veliajt që mos ta njohë opozitën dhe të shkelë ligjin, çështja do kalojë në short dhe do ndiqen procedurat”, pohoi ai.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re