Kryeministri i zgjedhur i Kosoves, Albin Kurti ka reaguar pas certifikimit të votave per zgjedhet e 14 shkurtit, ku Lëvizja Vetëvendosje është shpallur fituese.

Me anë të një postimi në Facebook, Kurti ka shprehur falënderime për qytetarët brenda dhe jashtë Kosovës që e kanë mbështetur. Po ashtu ai e ka quajtur fitoren një referendum dhe ka falënderuar dhe anëtarët dhe aktivistët e LVV-së për angazhimin.

“Çertifikimi i rezultateve u bë sot. Fitoi referendumi, fituam në referendum: 50,28%. Ditë e mirë për Republikën. Shans i madh për Kosovën. Ju falemnderit të gjithë qytetarëve dhe mërgatës për votën e tyre me 14 shkurt, të gjithë anëtarëve e aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për punën dhe angazhimin e tyre, të gjithë kandidatëve të listës sonë 127 për përfaqësimin dhe kontributin e tyre. U jam mirënjohës përzemërsisht e përjetësisht të gjithëve. Fitorja është e secilit prej jush. Fituam KREJT, ecim DREJT. Urime!”-ka shkruar ai.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi ditën e sotme, rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë, ku Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka shënuar fitore bindëse, duke fituar 50.28 për qind të votave.

Pas certifikimit të rezultatit, sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti i Kosovës, brenda 30 ditësh duhet të thërrasë seancën e parë të kuvendit, në mënyrë që të formohen institucionet e dala nga zgjedhjet.

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re