Skip to content

Fitorja e Erdoganit, BE tjetër “përplasje dere” për Turqinë

Ka qenë koinçidencë që dy ditë pas fitores prej Erdoganit të zgjedhjeve në Turqi, ku konstitucionalisht vendi kalon nga republikë parlamentare në presidenciale, siç në sistemin amerikan, BE-së i ka takuar të shprehet lidhur me të ardhmen e raporteve me Ankaranë përsa i përket çështjes së anëtarësimit të Turqisë në Union.

Siç mund të pritej, konkluzioni ka qenë negativ.

Këshilli i Ministrave konkludoi se Turqia po largohet gjithnjë e më shumë nga Bashkimi Europian dhe negociatat për pranimin u cilësuan “të mbetura në një qorrsokak”.

Në një dokument hartuar nga ministrat, vlerësohen përpjekjet e Turqisë në pritjen e më shumë se 3.5 milionë refugjatëve në territorin e saj, por më pas renditen ankesat në lidhje me ato që BE i konsideron shkelje standartesh në gjykimin për ish-grushtin e dështuar të shtetit në korrik të 2016-ës.

Në atë kohë, Brukseli nuk reagoi për ta dënuar përpjekjen për grusht shteti, por nuk e bëri të njëjtën gjë kur nisën masat ndëshkimore nga Ankaraja kundrejt organizatorëve. Kjo çoi në një ftohje dhe krizë marrëdhëniesh me Brukselin.

Edhe fitorja e fundit e Erdoganit, është pasuar me një përshëndetje të shkurtër e të ftohtë, formuluar nga dyshja Juncker-Tusk.

“Turqia është një vend kandidat dhe një partner kyç i BE-së. Ne shohim përpara perspektivën për të punuar ngushtë me ju për tema me interes të përbashkët si siguria, emigrimi dhe energjia”, janë shprehur dy diplomatët e lartë europianë në mesazhin e tyre drejtuar presidentit turk.