Presidenti Ilir Meta është përgjigjur për zërat që thonë se mund të lërë Presidencën më 26 Prill 2021 nëse zgjedhjet parlamentare do ti fitojnë PD dhe LSI. I pyetur nëse do të ishte i gatshëm të linte mandatin për një post të rëndësishëm si kryeministër apo Ministër i Brendshëm nëse ish-partia që drejtonte do të fitonte zgjedhjet, Meta hodhi poshtë spekulimet se do të linte postin.

Meta theksoi se do të jetë në mbrojtje të Kushtetutës si President i Republikës së Shqipërisë deri më 24 Korrik 2022.

“Ju e dini që unë prej kohësh, që për hir të marrëveshjeve që zgjidhin krizën e legjitimiteti, isha i gatshëm të lija dhe postin e presidentit vetëm që të gjendej një zgjidhje. Pa pasur parasysh karrierën time. Unë dua tju siguroj se në të gjitha rastet unë premtimin që kam bërë që ky institucion deri në 24 korrik 2022 do jetë kështjellë e pamposhtu në mbrojtje të Kushtetutës, këtë do ta mbaj në të gjitha mënyrat. Për këtë institucion duhet të jemi të qetë deri në 24 korrik 2022”, tha Meta.

Presidenti theksoi se është pro listave të hapura në zgjedhjet e 25 Prillit dhe i kujtoi qeverisë ti qëndrojë marrëveshjes së 5 Qershorit për lista të hapura. Sipas Metës, në rast shkelje të njënashme, do të konsiderohet si grusht shteti që sipas tij, do të shtypet nga grushti i popullit.

“Për zgjedhjet për mua kanë rëndësi vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme, vendosje e legjitimitetit në vend, kjo është një kërkesë ultimative dhe një e ardhme e qetë, me prosperitet për shqiptarët që janë lodhur, përçarë kaq shumë dhe i ka larguar më shumë nga vendi. Para pak ditësh lexova një artikull dramatik se në Shqipëri po ikin më shumë njerëz tani se në vitet ‘90.

Kërkoj t’i qëndrojmë marrëveshjes së arritur në 5 qershor, të mos devijojmë asnjë milimetër, të mos përdorim gjoja lista të hapura për të prishur marrëveshjen. Përshëndes opozitën që ka qenë e hapur për lista 100% të hapura. Në rast se mazhoranca nuk dëshiron të hapë listat e saj s’ka pse pengon forcat e tjera të hapin listat. Nëse kemi një shkelje të njëanshme si me rastin e ndryshimeve kushtetuese atëherë është e qartë që kemi tentativë për grusht shteti, por grushti i shtetit do të shtypet nga grusht i popullit, është më i madh grushti i popullit”,- u shpreh Meta.(A.M/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re