Zyrtarët në mbarë botën, aktualë dhe të mëparshëm,  po i bëjnë homazhe kryepeshkopit të Afrikës së Jugut Desmond Tutu, një ikonë e luftës kundër aparteidit dhe fitues i çmimit Nobel për Paqen, i cili vdiq dje në moshën 91-vjeçare, raporton AP.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres deklaroi se Tutu ka qenë një luftëtar i madh botëror për paqen dhe frymëzim për brezat në mbarë botën.

“Gjatë ditëve më të errëta të aparteidit, ai ishte një fener i drejtësisë sociale, lirisë dhe rezistencës jo të dhunshme. Edhe pse vdekja e Kryepeshkopit Tutu lë një boshllëk të madh në skenën globale dhe në zemrat tona, ne do të frymëzohemi përgjithmonë nga shembulli i tij për të vazhduar luftën për një botë më të mirë për të gjithë”, tha ai.

Mbretëresha e Britanisë së Madhe Elizabeth II tha se i kujtonte takimet e tij me të dhe “ngrohtësinë dhe humorin e tij të madh” dhe se largimi i tij do të ndihej nga populli i Afrikës së Jugut. Ajo tha se te një numër i madh njerëzish në Britaninë e Madhe, Irlandën e Veriut dhe Commonwealth-it, ai ishte shumë i vlerësuar dhe i respektuar.

Ish-presidenti i SHBA-së, Barack Obama, tha se Tutu ishte një busull morale që luftoi për drejtësi në vendin e tij, por edhe në mbarë botën, gati për të gjetur njerëzimin tek kundërshtarët e tij.

Kryepeshkopi i Canterbury-t Justin Welby theksoi se dashuria e Desmond Tutu ka transformuar jetën e politikanëve dhe priftërinjve, vendasve dhe liderëve botërorë.

Bota është ndryshe për shkak të këtij njeriu”, shtoi ai.

“Në të vërtetë, një pemë e madhe baobab ka rënë. Afrika e Jugut dhe lëvizja demokratike popullore kanë humbur kështjellën e ndërgjegjes morale dhe mishërimin e mençurisë,” tha Kongresi Kombëtar Afrikan, partia në pushtet në Afrikën e Jugut.

Kryeministri britanik Boris Johnson deklaroi se Tutu do të mbahet mend për lidershipin e tij shpirtëror dhe disponimin jashtëzakonisht të mirë, dhe vuri në dukje se ai ishte “një figurë kyçe në luftën kundër aparteidit dhe krijimin e një Republike të re të Afrikës së Jugut”.

Ish-presidenti i SHBA Jimmy Carter tha se tre fjalët pasqyrojnë më së miri kryepeshkopin; dashuri, liri dhe dhembshuri.

“Ai i jetoi vlerat e tij në luftën e gjatë për t’i dhënë fund aparteidit në Afrikën e Jugut, në udhëheqjen e tij të fushatës kombëtare për të vërtetën dhe pajtimin dhe në rolin e tij si qytetar i botës. Ngrohtësia dhe dhembshuria e tij na dhanë një mesazh shpirtëror që është i përjetshëm”, tha Carter.

“Humbja e Kryepeshkopit Desmond Tutu është e pamatshme. Ai ishte më i madh se jeta dhe për shumë njerëz në Afrikën e Jugut dhe në mbarë botën, jeta e tij ishte një bekim. Kontributi i tij në luftën kundër padrejtësisë, në nivel lokal dhe global, korrespondon vetëm me thellësinë e të menduarit të tij për krijimin e një të ardhmeje të lirë”, tha Fondacioni Nelson Mandela.

“Shenjtëria e tij Papa Françesku është i pikëlluar për lajmin e vdekjes së Kryepeshkopit Desmond Tutu. I vetëdijshëm për shërbimin e tij ndaj Ungjillit nëpërmjet promovimit të barazisë racore dhe pajtimit në vendlindjen e tij Afrikën e Jugut, shenjtëria e tij ia dorëzon shpirtin hirit të dashur të Zotit të Plotfuqishëm”, tha Vatikani.

Presidenti i SHBA-së Joseph Biden dhe gruaja e tij Jill kujtuan “forcën e mesazhit të tij të drejtësisë, barazisë, së vërtetës dhe pajtimit”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re