Do të mbetet gjatë në kujtesë lumturia që ndjemë Natën e Kadrit, në këtë muaj të bekuar të Ramazanit. Të gjithë së bashku, sollëm gëzim në zemrën e një babai që prej 7 muajsh pa vetëm ditë të zeza. Rikthyem buzëqeshjen në fytyrat e fëmijëve të tij, një dhuratë për të gjithë ata që ndihmuan dhe u lutën për familjen Lluka.

Tashmë fëmijët e Xhaviti nuk rrezikojnë të dalin në mesin e katër rrugëve. Shqiptarët i dhuruan një shtëpi të re.

Fëmijët do të mund t’i festojnë ditëlindjet e tyre, do të mund të hanë ushqim pa u shqetësuar për fundin e muajit… sepse shqiptatët i kanë siguruar një pension mujor prej një mijë eurosh.

Tashmë Xhaviti mund të shohë lirisht fëmijët e të vijojë të qëndrojë në krah të Valbonës. Shtëpia e familjes Lluka është fare pranë spitalit ushtarak në Tiranë.

Gjithçka u arrit në një kohë fare të shkurtër, falë një pune të madhe dhe reagimit të jashtëzakonshëm të shqiptarëve anembanë botës.

Po sjellim më poshtë mesazhet e fëmijëve dhe Xhavitit, fill pasi i gëzuam me shtëpinë e tyre të re.

Alteo: Shtëpia është shumë e bukur e mua më pëlqen shumë. Unë kam krevatim tim… shtëpia është e madhe dhe unë do të luaj me Mariglenin. Faleminderit të gjithë shqiptarëve

Marigleni: Më në fund e kemi një shtëpi tonën, kushtet janë shumë të mira, ashtu dhe shtëpia, shumë e bukur. Unë tani kam dhomën time.

Sheidi: Më në fund do të flemë të sigurt… gjëja që na ka mbetur tani, është që të shërohet mami e të vijë në shtëpi. Faleminderit të gjithë shqiptarëve, kudo në botë, që na bënë të lumtur e të sigurt në këtë shtëpi

Xhaviti: Ndjehem shumë i lumtur, pavarësisht situatës që kam. Në këtë vend ku ndodhem… në shtëpinë time. Më duket e pabesueshme, një realitet i tillë, një realitet kaq i shpejtë, ku mu shua një dhimbje e madhe për kalamajtë. Gjej rastin t’ju falenderoj me zemër. Të gjithë emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët”, stafin e mësuesve dhe të gjithë shqiptarët anembanë botës, për ndihmën që na dhanë për këtë shtëpi, që ta kemi njëherë e përgjithmonë e që kalamajtë e mi të fusin kokën brenda. Uroj që në këtë muaj të madhërueshëm, Zoti t’ju bekojë. Ishallah don Zoti i madh, që të gjitha lutjet tona të shkojnë për Valbonën, që edhe ajo të na bashkohet në këtë gëzim kaq të madh. (përlotet)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re