Të mbuluar nga dhimbja, nëna e babai i Jonadës së ndjerë, nuk kanë preferuar të flasin për median. Por mes miqsh e familjarësh, ka patur biseda që përcjellin dhimbjen e pamatë që kanë provuar prindërit.

Pedagogu Bislim Ahmetaj ka treguar përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social, bisedën që ka patur me babain e 7 vjeçares së ndjerë.

Babai i Jonadës mundohet ta mbajë veten, por shpirti po i del nga kraharori.

“Ma mori Zoti, ishim dorë për dorë, pse e mori atë e s’më mori mua…. Vetëm se duhet të kisha vdekur unë dhe jo Jonada’, janë fjalët që ka thënë babai i të ndjerës në bisedë me Ahmetajn.

Po sjellim të plotë, postimin e Ahmetajt në rrjetin social.

“Unë e ngushëllova Bledarin, babin e Jonadës.

Familja Avdia i ka hapur dyert dhe pret ngushëllime për humbjen tragjike që pësuan dje nga arroganca dhe papërgjegjshmëria e shtetit që vret fëmijë.

Jonada me sy të kaltër e cila dje po pllaquritej në Jon dorë për dorë me babi Bledarin është mbyllur në arkmort , mbi të derdhen përrenj lotësh që krijojnë detin e dhimbjes nga mami, gjyshja dhe dhjetra gra e vajza veshur me të zeza që lëvizin si magmë e zezë në oborrin e shtëpisë ku jeton gjyshi i saj.

Pak metra me tej në një kafe presin burrat. Aty s’ka gjamë, as vaj, veç sy të mbytur nga lotët dhe gulshe dhimbje. Shumë pak fjalë: Zoti ju forcoftë, Zoti ju dhashtë forcë dhe durim, shtrëngoni burra, Zoti e pastë marrë afër vetës e të tjera fjalë ngushëlluese të kësaj natyre.

Dhe përgjigjet e rëmta nga familjarët që presin në këmbë: Ju lumshin kambët, faleminderit që keni ardhë, në gëzime jua kthefshim…

Bledari i jati i Jonadës, mundohet të përmbahet, të bëj burrin e fortë të malsisë, por nuk e lejon dhimbja që i pëlcet në shpirt: Ma mori Zoti, ishim dorë për dorë, pse e mori atë e s’më mori mua.

Ta mori krimineli me uniformë, por s’ke ça me ba duhet me ba durim-ja kthej unë.

Ehhh- ofshan- Ja la Zotit, vetëm se duhet të kisha vdekur unë dhe jo Jonada- thotë mes lotësh Bledari që erdhi për të parë prindërit, të afërmit dhe për të pushuar në bregun e detit Jon, ku la shpirtin e tij.

E piva shpejt e shpejt atë kafe helm dhe ika i helmuar thellë në shpirt nga kjo tragjedi familjare, por jo vetëm.

Ajo është tragjedia e çdo familje, ajo është tragjedia jonë kombëtare që duhet ta ndalim me çdo formë, me çdo mjet.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re