Presidenti serb Vuçiç u ka uruar fundin e Ramazanit e Fiter Bajramin muslimanëve në Serbi, duke jua vlerësuar këtyre të fundit përkushtimin në besim e thënë se janë kontribuues paqeje në vend.

“Me urimet më të sinqerta që gëzimi i festës së madhe të jetë frymëzim për veprim të bashkuar për forcimin e tolerancës dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve harmonike ndërfetare, ju uroj përzemërsisht ju dhe të gjithë besimtarëve të Bashkësisë Islame festën e Fitër Bajramit.

Besoj fort se Bajrami do të jetë një nxitje fisnike për të vazhduar punën harmonike për zhvillimin e vendit tonë në frymën e bashkimit dhe miqësisë, të vetëdijshëm se vetëm në unitet të vërtetë mund të jemi gati për përgjigje të vlefshme ndaj sfidave të botës moderne.

Në të njëjtën kohë, ju falënderoj ngrohtësisht për veprat tuaja, të mbushura me mesazhet e dashurisë së përjetshme dhe të pashkatërrueshme të Zotit, të cilët keni kontribuuar në forcimin e përgjithshëm të Republikës sonë të Serbisë, në dobi të të gjithë qytetarëve tanë.

Me urime të ngrohta për shëndet, mirëqenie dhe lumturi për ju dhe familjet tuaja, dëshiroj që festat t’i kaloni me gëzim shpirtëror dhe me bollëk çdo të mirë”, ka shkruar Vuçiç.

Nëse nuk do i dihej autorësia, vështirë të besoje se muslimanët mund të marrin një urim të tillë vërtet me fjalë të zgjedhura e të goditura, nga një udhëheqës politik serb, i cili posedon të njëjtin nivel nacionalizmi, aspak miqësor ndaj fqinjëve joserbë, si paraardhësit e tij.