Ish-kryeministri Sali Berisha ka ironizuar Kongresin e Partisë Socialiste, ndërsa fjalimin mbi 1 orë të kryeministrit Rama e konsideroi si të denjë për Maduron e Venezuelës.

Në një konferencë me gazetarët, Berisha tha se në fjalimin e kryeministrit Rama nuk u përmendën farë të rinjtë.

Po ashtu, Berisha akuzoi Ramën si të lidhur me krimin, kartelin Sinaloa në Meksikë apo edhe me bandat në Durrës apo Elbasan.

“Sapo përfundoi fjalën tërkuzë, të denjë për maturën e Venezuelës, Edi Rama, i cili u foli shqiptarëve nga satelitët Albania 1, Albania 2, me zotimin solemn se do t’u vjedhim më shumë, do t’u mashtrojmë më shumë dhe do përzëmë më shumë nga ky vend.

Fëmijët, të rinjtë, shqiptarët, nxënësit, rinia që priste nga ky Kuvend, nga ky Kongres i Partisë së Krimit, të dëgjonte një fjalë, konstatoi se ata nuk ekzistonin në fjalorin e liderit global të 1 prillit, që mbajti një fjalim sikur kishte kaluar tërë natën nën efektin e drogave të forta.

Sikur ishte ngjitur diku dhe nuk ekzistonin qytetarët, nuk ekzistonin të rinjtë, nuk ekzistonin bizneset, nuk ekzistonin gratë shqiptarë, nënat, motrat. Sikur problemi numër 1 i pensionistëve ishte shërbëtori i rremë dixhital që do u ofronte Edi Rama.

A ka njeri me fakultete mendore normale që mund të ketë kurajo të dalë përpara qytetarëve shqiptarë me një fjalim të tillë?

U ndal gjerësisht në integrimin, proces të cilin ai me lidhjet e tij të tmerrshme me krimin, me Sinaloan e Meksikës, me Bajrët e Shkodrës, me bandat e Durrësit dhe të Elbasanit, me Olsin e tij dhe Xibrakën, proces të cilin me vjedhjet tashmë famoze që jehojnë në të katër anët e Brukselit, djegësit, vetëm njëri prej tyre 1 miliard euro, proces të cilin me Dubai Cityn e tij, me të cilin do të krijojë lavatriçen më të madhe në Europë të parave të drogës dhe vjedhjeve që ka bërë ortaku i vëllait të tij me Bitcoin. Këto nuk ekzistojnë për Europën dhe integrimin. Ekziston vetëm Greqia. Mirëpo që nuk u kthye të përdorte termat e etërve të tij monarko-fashistë, por më pas duke qenë i pasigurt se nuk është vetëm Greqia, por se standardet evropiane, demokratike i kërkojnë të gjitha vendet e lira dhe demokratike të Europës për t’u zbatuar, i kthehej pas aleatëve angloamerikanë, i kthehej boshtit evropian”, tha Berisha.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re