Më 24 tetor, parlamentari irlandez Richard Boyd Barrett mbajti një fjalim që u bë shumë shpejt viral në rrjetet sociale dhe kishte të bënte me konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës.

Konkretisht, Boyd Barrett doli në podium dhe akuzoi Izraelin për krime lufte, madje tha se ata vetë e pranuan këtë.

“Kam një pyetje të thjeshtë për ju: sa civilë, burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm palestinezë duhet të vrasë Izraeli? Sa krime lufte duhet të kryejë Izraeli?

Sa vdekje dhe shkatërrim duhet të shkaktojë Izraeli mbi popullin e Gazës dhe Palestinës para se të bëni thirrje për sanksione ndaj Izraelit, të dëboni ambasadorin izraelit nga ky vend dhe të kërkoni referimin e menjëhershëm të Izraelit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte?

Izraeli e pranon hapur këtë. Nuk bëhet fjalë për opinion. Ata deklarojnë publikisht qëllimin e tyre për të detyruar më shumë se një milion palestinezë të lënë shtëpitë e tyre në Gazën veriore dhe t’i pastrojnë ata etnikisht përmes kërcënimit të bombardimeve ushtarake.

Ky është një krim kundër njerëzimit. Ata e kanë deklaruar publikisht dhe po e bëjnë para syve të botës duke ua mohuar ujin, rrymën, ilaçet, karburantin 2.2 milionë njerëzve. Çdo minutë po masakrohen fëmijë nga artileria e tyre, bombardimet e pandërprera të komplekseve të banimit, spitaleve, shkollave dhe infrastrukturës ndërtimore.

Ata thjesht vazhdojnë dhe ju nuk bëni asgjë, vetëm fjalë shqetësimi, por asnjë veprim për t’i mbajtur ata përgjegjës. Është e qartë se këto janë krime lufte dhe gjenocid i paramenduar”, tha ndër të tjera Richard Boyd Barrett.

Dëgjojeni fjalimin e plotë këtu:

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re