Atentati ndaj prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja më 1 nëntor 2019 ende nuk është zbardhur i plotë, por mesa duket SPAK është drejt fundit të hetimit. Në dosjen e SPAK-ut të siguruar nga News24, ka shumë dëshmi, mes të cilave janë të edhe ato të Kejvina Kthjellës, e cila ka qenë e dashura e Redjan Rrajës, ky i fundit nën akuzë si pjesëmarrës në atentat.

Kejvina Kthjella ka thënë për hetuesit se një natë para se të ndodhte atentati Redjan Rraja kishte shkuar tek shtëpia e saj dhe kishin qendruar bashkë, më pas në mëngjes ajo ishte larguar.

DËSHMIA E KEJVINA KTHELLËS

“… Herën e fundit që jam takuar me Redjanin ka qenë ditë e enjte, datë 31.10.2019. Rreth orës 22:00 të mbrëmjes unë ndodhesha në banesë dhe ka ardhur Redjani. Kemi qëndruar gjatë natës së bashku dhe në mëngjes, më datë 01.11.2019, rreth orës 10:30 unë jam larguar për në punë, ndërsa Redjani qëndroi në banesë. Kam komunikuar gjatë ditës me të disa herë dhe ai është larguar nga banesa dhe kishte shkuar në Durrës me disa miq të tij.

Ishin duke pirë diçka me sa më tha ai, por nuk di detaje me saktësi. Dua të them se unë kam komunikuar thuajse çdo ditë me Redjanin në telefon, por nuk jemi takuar. Me sa mbaj mend, ditën e shtunë, më datë 02.11.2019, kur kam komunikuar në telefon, Redjani më ka thënë se ishte jashtë shtetit.

Po kështu, edhe ditën e diel, më datë 03.11.2019 kemi komunikuar normalisht rreth orëve të paradites dhe thjesht kemi bërë bisedë normale. Unë komunikoj nëpërmjet telefonit tim, me numër 06924 XXXXX, Redjani disponon numrin e telefonit 06920 XXXXX”.

DËSHMIA E RRAJËS

I pyetur në cilësinë e të ndaluarit, më datë 05.11.2019 (në prani të mbrojtësit të zgjedhur Besnik Çerekja) shtetasi Redjan Rraja ka shpjeguar ndër të tjera se:

“… Unë kujtoj që më datë 01.11.2019, kam qenë në Tiranë, në mëngjes dhe rreth orëve të paradites kam ikur në Durrës me automjetin tim tip ‘Audi A8’, me targë AA 005 XY dhe kam qenë i vetëm. Kam kaluar në autostradën Tiranë-Durrës dhe kam shkuar te kolaudimi, te Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor për të bërë dokumentacionin e automjetit.

Pasi kam mbaruar dokumentacionin, kam bërë një xhiro në qytetin e Durrësit, në qytet, gjithnjë me automjetin tim dhe në kohën që kam bërë targat kam qëndruar në Durrës rreth 4 orë, por nuk e mbaj mend mirë. Gjatë kësaj kohe, nuk më kujtohet të kem takuar dikë të njohur. Nuk mbaj mend mirë, por ndoshta kam pirë kafe në vendin e quajtur ‘Vollga’, Durrës. Jam kthyer për në Tiranë në autostradë rreth orës 5 të pasdites, po i vetëm, me automjetin tim dhe kam ardhur në Tiranë, në shtëpi”.

Këto deklarime të tij vijnë në kundërshtim me deklarimet e shtetasve Astrit L., Agron Ç., Henri Ç. dhe Hatiola B., të cilët kanë shpjeguar se ka qenë i hetuari Ariol Halilaj që ka marrë nga shtetasi Redjan Rraja automjetin e këtij të fundit, me qëllim targimin dhe ka qenë po Arioli, ai që e ka çuar mjetin tek Astrit L., etj.

PËRGJIMI I VJEHRRËS SË RRAJËS

Shumë interes paraqet biseda e datës 11.11.2019, ora 09:38:12, bisedë që zhvillohet mes shtetases Leonora Shehu (e ëma e shtetases Odesa Rraja që është bashkëshortja e Redjan Rrajës), përdoruese e telefonit me numër 06938XXXXX (lejuar përgjimi me vendimin nr.952, datë 04.11.2019 të Gjykatës) dhe një shtetase të thirrur Vera. Në këtë komunikim paraqesin interes këto biseda:

Leonora: Jo me jo… por kanë dalë llafe se shkonte me një tjetër mi… jetonte me një tjetër…

Vera: Uh!

Leonora: Ne e dinim se ishte jashtë moj motër, se dinim fare se ishte këtu. Kishte thënë se do vejë jashtë, do bëjmë dokumentet, se do vemi të jetojmë në Belgjikë.

Vera: Dëgjo këtu, motër. Po është ashtu, më mirë një orë e më përpara, të rrijë rehat vajza…

Leonora: Dëgjo, atij ia kanë futur, se nuk është i tillë ai që të arrijë gjer atje. Ai… çfarë nuk bën vaki moj motër. Duhet t’ia ketë futur ndonjëri, po se duhet të ikte andej për jashtë shtetit. Ai donte të ikte pasi familja e dinte se ai nuk ishte fare këtu ai… Edhe gruaja dhe fëmijët e dinin që ishte jashtë shteti…

Nga kjo bisedë del qartë se shtetasi Redjan Rraja, në përpjekje të ndërtimit të një alibie, ka përgatitur si familjarët, ashtu edhe shtetasen Kejvina Kthella se do të ikte jashtë shtetit.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re