Në aeroportin ushtarak në Batajnicë, afër Beogradit, ka përfunduar demonstrimi i aftësive të Ushtrisë Serbe të quajtur “Mburoja 2022”.

Në stërvitje për herë të parë u shfaq sistemi raketor kinez kundërajror FK-3, i cili iu dha Serbisë javë më parë, gjë që shkaktoi reagime dhe në Europë. Edhe SHBA reaguan duke thënë se Beogradi, nëse vërtet dëshiron të anëtarësohet në BE dhe aleanca të tjera perëndimore, duhet të harmonizojë pajisjet e tij ushtarake me standardet perëndimore.

Serbia është bindshëm në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor sa i përket armatimit dhe me ribalancimin e buxhetit për vitin 2021, ndarja e mbrojtjes, siç specifikohet nga qeveria serbe, është rritur për 44 për qind krahasuar me atë që ishte planifikuar fillimisht.

Presidenti i Serbisë paralajmëroi investime të reja në mbrojtjen ajrore dhe aviacionin. Ai ka theksuar se janë duke u zhvilluar negociata për blerjen e avionëve luftarakë francezë Rafale, si dhe pret negociata edhe për blerjen e Typhoon-it britanik.

Gjithsesi, Vuçiç thotë se ky zhvillim ushtarak nuk është aspak sinjal lufte në Ballkan.

Ai madje ka dhënë garanci se sa të jetë në pushtet “nuk do u çojë nënave serbe djem të vrarë në luftë”.