Ish-presidenti amerikan Donald Trump e quajti pasardhësin e tij, Joe Biden, një “armik të shtetit” përpara mbështetësve të tij, duke denoncuar gjithashtu kontrollin e FBI-së në shtëpinë e tij në Florida, gjatë një aktiviteti të fushatës përpara zgjedhjeve afatmesme të së shtunës mbrëma në Pensilvani.

“Ky është armiku i shtetit,” shpërtheu Trump turmës, duke iu përgjigjur një sulmi të ashpër nga Presidenti Biden, i cili dy ditë më parë tha se republikani dhe pasuesit e tij përfaqësonin “një ekstremizëm që kërcënon vetë themelet e demokracisë sonë”.

Fjalimi i tij” nuk ishte gjë tjetër veçse një manifestim “urrejtjeje dhe zemërimi”, gjykoi Donald Trump, duke akuzuar Biden se i quajti ndjekësit e tij “një kërcënim për demokracinë” dhe “armiq të shtetit”.

 “Armiku i shtetit është ai dhe grupi që e kontrollon”, vazhdoi ish-presidenti, duke folur në shtetin kyç në zgjedhjet afatmesme të 8 nëntorit, kur do të vendoset se cila parti kontrollon të dyja dhomat e Kongresit amerikan.

Në paraqitjen e tij të parë publike që nga kontrolli i policisë federale në shtëpinë e tij në Mar-a-Lago, Florida, më 8 gusht, Trump tha se operacioni ishte “shembulli më flagrant i kërcënimeve shumë reale ndaj lirisë së amerikanëve dhe një nga abuzimet më tronditëse të pushtetit nga çdo administratë në historinë amerikane”.

Ish-presidenti këmbënguli se “bastisja e dënueshme” në “shtëpinë time në Mar-a-Lago” ishte një “travesti e drejtësisë” pasi ai synon më hapurnjë tjetër kandidim për Shtëpinë e Bardhë në 2024.

Byroja Federale e Hetimit e kreu bastisjen sepse dyshonte se ish-presidenti mbante në mënyrë të paligjshme dokumente konfidenciale dhe të klasifikuara nga koha e tij në Shtëpinë e Bardhë (2017-2021). Sipas një dokumenti të Departamentit të Drejtësisë, oficerët e policisë federale vlerësojnë se brenda rreth tridhjetë kutive të sekuestruara kishte dokumente tepër sekrete që “mund të jenë fshehur” për të penguar hetimin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re