Zjarret po bëjnë kërdinë këto kohë nëpër Shqipëri, sidomos në jug, me vatrat në Dukat dhe në Gjirin e Gramës si më të vështirat, por flakëve nuk ka mundur t’iu shpëtojë as qarku i Korçës ditën e sotme.
Në lidhje me situatën është prononcuar Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, duke thënë se zjarri ka vazhduar prej 3 orësh dhe 5 vatra të vogla iu bashkuan atyre me të mëdhave në pyllin me bredha e me pisha.
Por pavarësisht situatës shqetësuese në pyllin e Voskopojës, është e pamundur për të ndërhyrë nga ajri për shkak të tymit të dendur dhe favorizimit nga era, sipas Ministrit të Mbrojtjes.
“Zjarri prej 3 orësh. 5 vatra të vogla të cilat u bashkuan. Pylli me bredha e pisha. Është e pamundur për të ndërhyrë nga ajri për shkak të tymit të dendur, dhe favorizimit nga era, dhe ende nuk jemi në atë fazë që të ndërhyjmë me helikopter.
Kemi trupa të specializuara që do të ndërhyjnë në terren sapo të largohet tymi i dendur. Zjarri dallohet qartësisht që është i qëllimshëm, dhe më vjen keq për këto veprime. Ka patur sot një valë të madhe arrestimesh dhe persona të shpallur në kërkim”, deklaroi Ministri Peleshi.
Më herët, Peleshi ka mbërritur në Voskopojë, ku edhe ka bërë një analizë të situatës së zjarreve në vend, duke u është shprehur se për të ndërhyrë në Voskopojë po pritet që të kalojë tymi, i cili bën të pamundur ndërhyrjen e zjarrfikësve.
“Kam mbërritur në Voskopojë, Bashkia e Korçës, patëm një shpërthim zjarri,nuk nxitoj kur them që është e qëllimshme. Është e rrezikshme sepse ka bimësi të lartë dhe zjarri ka shpërthyer në zemër të tij. Ka rrethana pozitive se ka një përrua. Kemi bërë një konsultë për të shuar zjarrin.
Kemi forca të mjaftueshme për të pritur momentin e ndërhyrjes, tymi është i dendur se nuk lejojnë forcat të futen me teknikat që tani i mësuam kundër zjarrit. Ka një zgjidhje në letër. Sapo të bjerë tymi do të zbatohet në praktikë.
Nëse do dështonim këtu, fatalitet. Kemi patur situatë të vështirë në Llogara, mbi Dukat është menaxhuar një vatër të vështirë. Natën është rrezikuar fshati. Vazhdon beteja! Kemi 60 FA në malin e Karaburunin, aty ku fillon parku i Llogarasë. Do të bëjmë disa ndërhyrje për të shmangur parkun. Besoj se do të jetë një natë e sigurtë. Dy vatrat në Kukës janë problematike. Vatra në Fier është shqetësuese. Mbi tunelin e Kalimashit është situatë e vështirë”, tha Ministri i Mbrojtjes midis të tjerash.
…
/faxweb