Skip to content

Flamujt e Shqipërisë e Kosovës valëviten në Tokio, pamjet nga ceremonia e Lojërave Olimpike

 

 

Kanë nisur Lojërat Olimpike të Tokios, ndërsa gjatë ceremonisë së hapjes janë valëvitur dhe flamujt e Shqipërisë e Kosovës.

Në edicionin e 32-të të Lojërave Olimpike, Shqipëria përfaqësohet nga 9 sportistë në disiplina si atletika, peshëngritja, noti, qitja dhe xhudo. Gara e parë për ekipin kuqezi do të jetë ajo e gjimnastit Matvei Petrov, e më tutje të shtunën radha i takon qitëses Manuela Delilaj e xhudistit Indrit Çullhaj.

Flamurin shqiptar e mbajtën dy sportistët, Luiza Gega e Briken Calja.

Majlinda Kelmendi e Akil Gjakova

Kosova ndërkohë përfaqësohet nga 11 sportistë. Kosova do të konkurojë në sporte si xhudo, mundje, atletikë, not, boks dhe qitje. Prej 11 sportistëve, 6 janë femra e 5 meshkuj, konkretisht Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova e Loriana Kuka, të cilat konkurojnë në xhudo së bashku me Akil Gjakovën.

Më tutje Egzon Shala garon në mundje (stil i lirë), kurse Donjeta Sadiku do të konkurojë në boks. Drilon Ibrahimi është në sportin e qitjes (shenjëtarisë). Në not konkuron Eda Zeqiri dhe Olt Kondirolli, ndërsa në atletikë, Musa Hajdari.

Ndërkohë më poshtë këto janë disa nga pamjet në Tokio e gjatë ceremonisë hapëse. Ceremonia është zhvilluar pa spektatorë, teksa Japonia aktualisht përballet me një valë të re të shpërndarjes së Covid.

Në ambientet e jashtme të stadiumit, pati dhe një sërë protestash nga qytetarë japonezë, të cilët  kritikuan qeverinë me argumentin se ka harruar qytetarët për të mbajtur Lojërat Olimpike.

Photo/ AP

Ndërkohë në ceremoninë hapëse kanë marrë pjesë fare pak persona, përfshi këtu edhe krerët e disa shteteve pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike.