Skip to content

‘Flamujt që vendosen në rrugë digjen kudo në botë’, Manjani reagon ashpër pas arrestimeve: As në Serbi nuk ndodh kjo

I pranishëm në protestën që u mbajt gjatë ditës së djeshme në Tiranë, ish-ministri Ylli Manjani ka reaguar pas arrestimeve dhe procedimeve të të rinjve që dogjën flamujt e Serbisë.

Manjani thotë se nuk ka asnjë arsye ligjore pse ata persona të jenë arrestuar, pasi flamujt nuk ishin vendosur në asnjë seli apo institucion, por në rrugë, dhe djegiet e tyre ndodhin rëndom kudo.

Postimi i plotë i Manjanit:

Nuk e di, realisht, ku dhe si u dogj ai flamur i Serbisë në protestën e djeshme.

Nëse është bërë, padyshim tregon papjekuri dhe kaq.

Por që kjo të meritojë arrestime dhe ndjekje penale është jo thjesht joproporcionale, por sjellje fatale antidemokraci!

Nuk u dogj flamuri zyrtar i Serbisë, dmth një flamur i vendosur në ndonjë institucion diplomatik.

Flamujt që vendosen në rrugë digjen gjithandej në botë dhe askujt nuk i shkon mendja të procedojë penalisht njerëzit.

As në Serbi nuk ndodh kjo gjë!

Ose të paktën ne skemi dëgjuar të jetë proceduar ndonjë serb se ka djegur flamurin e Shqipërisë apo të Kosovës!? Dhe ka patur serbë që sja kanë përtuar këtyre gjerave…

Aktin e djegies simbolike të flamujve në shumë raste jurisprudencat në vendet demokratike e konsiderojnë si thelbin e lirisë së shrehjes.

E kuptoj zellin e policisë politike për të bërë lajme para flamurdjegurve, por gjykoj se Prokurorët dhe gjykatësit nuk kanë përse të jenë pjesë e këtyre pisllëqeve antidemokratike.

Është e tepërt të kriminalizosh njerëz përse shprehin një mendim apo qoftë edhe një duf.

Kapni ndonjë kriminel që lirinë e nxjerrjes së dufit e shpreh me fishekë apo me drogë, o policë të shtetit!

Lërini njerëzit të shprehin dufin politik, se nuk e ndalni dot edhe po të doni.

Ndërkohë ky është edhe një shembull tjetër që tregon se çfarë Kodi Penal bolshevik kemi në fuqi.

Kodi që kriminalizon njerëzit pse shprehen pa i bërë dëm askujt, në një protestë.

/faxweb