Deputeti demokrat Flamur Noka deklaroi në “Log.” se PD duhet të largojë Lulzim Bashën nga drejtimi i partisë në mënyrë që partia të ribashkohet dhe të rikthejë potencialin për të fituar nga Edi Ramës.

Madje, Noka shpjegoi edhe rrugëtimin që do të ndjekë Berisha dhe mbështetësit e tij për largimin e Bashës nga drejtimi i partisë. Sipas Nokës, mjafton mbledhja e firmave të ¼ të anëtarëve të Kuvendit Kombëtar për të filluar procedurat e shkarkimit nga drejtimi i partisë.

“Është kuriozitet kjo procedurë, por nuk është fare e rendësishme çështja e aspekteve teknike. Kjo është e shkruar në statut. Mund të mbledhës ¼ të firmave të Kuvendit Kombëtar dhe fillojnë procedurat”, tha Noka duke theksuar se në fakt, për mbështetësit e Berishës nuk është ky problemi kryesor.

Problemi kryesor është se Basha sipas tij nuk frymëzon demokratët dhe nuk i çon më drejt fitores.

Pjesë nga diskutimi në studio:

Flamur Noka: Procedurat nuk janë problemi real. Problemi real është nëse Lulzim Basha frymëzon më apo jo? A i motivon ai tani demokratët për betejë kundër Ramës? Unë mendoj se jo.

Mentor Nazarko: Deri dy muaj më parë, ju besonit se i motivonte..

Flamur Noka: Po nuk kishte krizë deri para dy muajve. Ai ka përjashtuar shumicën e anëtarësisë. Berisha ka një ndjekshmëri të madhe. Basha nuk frymëzon më. Nuk bashkon dhe nuk motivon më.  Kush do mund të jetë në krye të PD-së dhe ta bëjë këtë, përveç Bashës. Zgjidhja e vetme është largimi i Bashës nga drejtimi i partisë sepse nuk bashkon më.

Endri Xhafo: Po kur largoi Selamin, Topallin, Patozin..bashkonte Basha?

Flamur Noka: Unë kam respekt për ata emra, por nuk krahasohen.

Artur Zheji: Berisha nuk është përjashtuar nga PD. Kjo ka ndodhur jo me vullnetin e lirë të Bashës, por prej një ekuacioni gjeopolitik nën kërcënimin se do të shpallte të gjithë PD-në “non grata” dhe do t’i hiqte çdo shans për të fituar zgjedhjet. Ti s’mund të sakrifikosh të gjithë partinë për çështjet personale.

Flamur Noka: Një lider nuk mund të mos i përballojë shantazhin, qoftë edhe nga aleatët më të fortë. Basha duhej të pyeste bazën për vendimin dhe jo të merrte vendim personal.

Artur Zheji: Po të ishte pyetur baza, atëherë duhej të zgjidhnin të hanin bar?

Flamur Noka: Pse, tani çfarë po hanë? Kashtë?

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re