Deputeti demokrat Flamur Noka, në një konferencë për gazetarët nga selia blu, ka folur në lidhje me mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar, e cila pavarësisht kohëzgjatjes, nuk arriti që të sillte tym të bardhë për qëndrimet e dy palëve në PD.

Noka akuzoi Alibeajn se është i marrë peng, dhe vazhdon të bëjë lojën e Lulzim Bashës dhe Edi Ramës, për të përçarë opozitën.

“Siç jeni në dijeni , pas datës 6 Mars, të gjithë mazhoranca brenda PD-së, duke filluar nga Sali Berisha dhe gjithë të tjerët, ka pasur një devizë bashkimi. Për fat të keq, ju edhe mbrëmë e konstatuat, Enkelejd Alibeaj nuk ka lidhje me bashkimin, po vazhdon lojën e Bashës dhe Ramës për të përçarë PD-në.

Çfarë është diskutuar në mbledhjen e grupit të PD-së është kjo, të gjithë janë kundër qendrimit përçarës të Enkelejd Alibeajt, askush nuk e ndoqi kur u çua dhe u largua nga mbledhja. Nëse Alibeaj është peng, siç ishte dhe Basha iu them se deputetët janë të lirë, për ta bërë PD një forcë fituese.

Ky është një proces përbashkues, asgjë nuk e ndal, pengjet bëjnë punën e tyre, demokratët janë në punën e tyre”, tha Noka.

Nëse Alibeaj tërheq padinë në apel, a jeni ju të gatshëm që ti shtyni zgjedhjet që po bëni në degë?

Noka: Mendoni ju se është përbashkues ideja e hedhjes në gjyq të partisë tënde, a mund të jetë kjo bashkuese? A mund ta gëzojë karrigen e kreut të grupit një njeri, që mban gjallë frymën e përçarjes. Kjo është arsyeja se pse të gjithë deputetët i kërkuan zotit Alibeaj që të tërhiqte padinë. Askush tjetër veç Gaz Bardhit nuk guxon dot që të thojë se ka pasur mbledhje të forumeve.

Noka po ashtu komentoi edhe raportin e DASH, ku sipas tij u konfirmuan akuzat e opozitës për kapjen e sistemit të drejtësisë nga qeveria.

“Qeveria e Edi Ramës përbën një rrezik real për të drejtat e qytetarëve shqiptarë përmes  korrupsionit masiv, presionit politik mbi drejtësinë dhe presionit ekonomik mbi median dhe blerjes së votës.

Ky është rezultati pas skanerit që Departamenti Amerikan i Shtetit i ka bërë situatës së të drejtave të njeriut në vend gjatë vitit elektoral 2021.

Raporti i DASH vërteton më së miri të gjitha shqetësimet, denoncimet dhe akuzat e Partisë Demokratike dhe të opozitës.

A ishin shqiptarët të lirë te zgjidhnin qeverinë që donin?

Departamenti i Shtetit thote Jo!

Vullneti i shqiptarëve është deformuar nga një qeveri që bleu votat, që përdori buxhetin e shtetit dhe sistemin kriminal të patronazhimit, duke ekspozuar mbi 900 mijë qytetarë përballë presionit politik të partise në pushtet.

A është sistemi i drejtësisë i pavarur?

Raporti Departamentit Amerikan te shtetit  thotë Jo!

“Megjithëse kushtetuta parashikon një gjyqësor të pavarur, presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe efikase”, thekson raporti.

Shqiptarët e dinë se kush e ka fuqinë për t’i bërë presion drejtësisë. Ka një emër, që duhet të jetë në krye të listës si pengmarrës i drejtësisë së pavarur! Ky është Edi Rama.

Një nga shfaqjet më brutale të këtij presioni, Edi Rama e dha gjatë kongresit të Partisë Socialiste, kur i tregoi SPAK-ut kë duhet të hetojë dhe kush është i paprekshëm.

Partia Demokratike ka votuar për një drejtësi që t’i japë fund pandëshkueshmërisë në nivelet më të larta të qeverisë, por me Edi Ramën që kontrollon çdo pushtet, ky mision është i minuar.

A eshte kjo  qeveri e korruptuar?

Raporti i Departamentit Amerikan te Shtetit thote po.

Një qeveri e korruptuar në të gjitha degët e saj, siç pohon Departamenti i Shtetit, një kryeministër i korruptuar dhe presioni politik ndaj drejtësisë është një këmbanë alarmi për shqiptarët!

Ka ardhur koha që të bëhemi bashkë, pavarësisht bindjeve politike, për t’ia shkurtuar jetën kësaj qeverie që të drejtat e shqiptarëve i shet dhe i blen për karrigen personale të Edi Ramës”, tha Noka.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re