Flamuri gjigant kuqezi i parapriu fitores së Kosovës në Suedi

Kosova arriti mbrëmë një fitore historike në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026, duke mposhtur Suedinë me rezultatin 1-0. Ashtu si në çdo ndeshje të kombëtares së Shqipërisë apo të Kosovës, tifozeria shqiptare dhuroi spektakël në stadiumin “Nya Ullevi” në Suedi, duke shpalosur një flamur gjigant kuqezi.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjete sociale momente nga shpalosja e flamurit gjigant që i priu mbrëmë fitores historike të Kosovës në fushën e Suedisë. Tifozët shqiptarë nga të gjitha trevat dhe diaspora mbushën shkallët e stadiumit “Nya Ullevi” duke mbështetur përfaqësuesen e Kosovës në këtë sfidë të rëndësishme.

Pas kësaj fitoreje të madhe, Kosova ngjitet në vendin e dytë të Grupit B me 7 pikë pas katër ndeshjeve.

Fitorja e djeshme mban gjallë ëndrrën e Kosovës për një kualifikim historik në Kupën e Botës, ndërsa ndeshjet e radhës kualifikuese do të zhvillohen muajin e ardhshëm. Kjo fitore vjen pas fitores së kombëtares shqiptare kundër asaj serbe, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026, ndeshje e zhvilluar në Leskovac të Serbisë.