Një mjek francez i infektuar me Covid-19 së bashku me 15 anëtarë të familjes së tij e ka përshkruar jetën në vetëizolim në karantinë si “çuditërisht të mirë”.

Jonathan Peterschmitt u shpreh për “Good Morning Europe” në Euronews se “është e mundur të jetosh me koronavirusin, pa qenë nevoja të ndihesh tmerrësisht keq”.

“80% e njerëzve të infektuar me sëmundjen kanë simptoma të lehta,” tha ai. Mjekët dhe infermierët janë ata që janë më shumë të ekspozuar ndaj koronavirusit.

Më tej, Jonathan bëri shaka duke thënë se katër fëmijët e tij e lodhin më shumë se koronavirusi, një mënyrë për të theksuar simptomat jo të rënda.

“Në të vërtetë ndihem mirë,” tha ai. “Ndoshta jam pak i lodhur sepse nuk fle mjaftueshëm gjumë sepse kam katër fëmijë. Ata më lodhin më shumë se koronavirusi. Përpiqemi t’i argëtojmë. Kanë kaluar vetëm katër ditë të mbyllur brenda dhe s’janë mërzitur ende.”

Përsa i përket simptomave të Covid-19, ai tha:

“Javën e kaluar kisha simptoma të gripit dhe ftohjes. Ndihesha i lodhur dhe kisha dhimbje koke. Gjatë fundjavës, dëgjova se në zonën time u diagnostikuan disa persona me koronavirus. Nuk doja të vizitoja pacientët e mi pa e ditur se çfarë kisha, kështu që u vizitova.”

Në Francë, deri më tani  janë konfirmuar 285 raste  dhe katër persona kanë vdekur, sipas ministrisë së shëndetit.

Virusi është përhapur me shpejtësi në të gjithë botën, duke infektuar 92,000 njerëz dhe duke vrarë më shumë se 3.200.

Disa vende kanë marrë masa të rrepta.

Ndërkohë Italia – vendi më i prekur nga Europa njoftoi të mërkurën se të gjitha shkollat ​​dhe universitetet do të mbylleshin deri më 15 mars, dhe të gjitha ngjarjet kryesore sportive do të luheshin pas dyerve të mbyllura, pasi numri i të vdekurve arriti në 107./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re