Kur na ndajnë 74 ditë nga zgjedhjet, KQZ është duke avancuar me punën përgatitore të infrastrukturës që do të përdoret në 25 prill, ku një pjesë e mirë do të jetë për herë të parë.

Një nga çështjet që po diskutohet në Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është edhe fleta e votimit, e cila në këto zgjedhjeve për shkak të ndryshimeve kushtetuese që u bën vjeshtën e 2020-ës që mundësuan listën e hapur, nuk do të jetë si fleta në zgjedhjet pararendëse.

Euronews Albania ka siguruar 4 variante të fletës së votimit që janë duke diskutuar në grupet e punës.

Në të katërta këto modele parashikohet ndarja e fletës së votimit në dy pjesë. Një pjesë do të jetë e dedikuar për votën që qytetarët do të japin për partitë dhe pjesë tjetër do të jetë hapësira ku qytetarët do të japin votën preferenciale për deputetin që duan t’i përfaqësojë në Kuvend.

Në të katërta variantet e siguruara nga Euronews Albania, krahas votës për logon e partive apo koalicioneve, vota për kandidatin e preferuar do jepet duke e identifikuar atë me numrin që ai do të ketë në listë.

Por, burime të besueshme i thanë Euronews Albania se Partia Demokratike ka kërkuar një model flete votimi që të ketë të përfshirë edhe emrat e kandidatëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re