Analistja Brizida Gjikondi, e ftuar në studion e Abc News, foli për faktet e reja të zbuluara nga David Packouz, ortak i Afrim Diverollit. Në një intervistë, Packouz foli për negociatat që Diverolli bëri me Shkëlzen Berishën, si u fshehën fishekët kinezë, negociatat për paketimin dhe si e larguan Kosta Trebickën, i kontraktuar për paketimin.

Analistja theksoi se SPAK duhet të marrë në konsideratë këto fakte të reja nga Packouz. Ajo zbuloi gjithashtu se çfarë ka deklaruar Shkëlzen Berisha kur u thirr për të dëshmuar në SPAK për çështjen e Gërdecit. Siç tha ajo, ai ka justifikuar telefonatat e shpeshta me Mediun me djalin e sëmurë.

“Mendoj se duhet të ishte marrë, vlerësuar si person që ngjall interes për hetimin por Shkëlzen Berisha hapi një gjyq në Amerikë kundër personave që bënë një libër dhe film për Gërdecin. E di që zotëria ka qenë në këtë gjyq dhe ka shumë interes për t’u marrë nga SPAK, sepse e hapi Shkëlzeni me bujë të madhe për të vënë reputacionin në vend dhe më pas u pushua si çështje.

Çfarë ka thënë zotëria sot dhe shumë prova të tjera do të bëni të mundur t’i shkohej në palcë kësaj çështjeje që ka 15 vjet që përdoret për presion nga njëra palë te e tjera por nuk është hyrë në themel. Kemi diçka konkrete sepse procedohet për herë të parë ndaj Mediut në mënyrë konkrete.

Ai ka përdorur një truk të dhimbshëm moralisht se ku arrijmë të fshihemi ne. Ka thënë flisja me Mediun kaq shumë shpesh se i duhej një ilaç se kishte djalin paqejf dhe duhet t’ja blija në Suedi. Ky ka qenë deklarimi në SPAK. Duhet hetuar gjithçka direkt ose indirekt përfshirë edhe Luan Hoxhën që ka qenë komandanti i Shtabit të Përgjithshëm.

SPAK, me letër porosi, mund të kërkojë dëshmitë e ish shefit të shtabit të përgjithshëm, dosjet që ka çuar vetë Berisha për të kallëzuar autorin e librit. Çdo gjë është për skemë pazaresh dhe është e verifikueshme. Ka një faks ku është emri i tij sipër midis Aldo Bumçit dhe Fatmir Mediut.”, tha Gjikondi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re