Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo, ka zhvilluar një takim me demokratët e Durrësit, Spitallës dhe Kënetës.
Përmes një postim në rrjetin e saj social Instagram, zëdhënësja e PD shkruan se takimet e saj me demokratët ishin entuziaste.
Teksa bën me dije se një ndër temat që ajo diskutoi me ata ishte protesta kombëtare e PD, që do të mbahet në Tiranë më 8 shkurt ora 17:00.
Ajo ka ftuar qytetarët dhe mbështetësit e opozitës në protestën e ditës së shtunë.
“Demokratet jane ne kembe! Te gjithe bashke do mbushim rruget e Tiranes me 8 shkurt ora 17.00!”, ka shkruar Floriana Garo krahas fotove që postoi në rrjetin social me demokratët.
Kujtojmë se në një dalje për mediat rreth një javë më parë kreu i PD-së, Sali Berisha, paralajmëroi protestën kombëtare të 8 shkurtit.
“PD, e cila prej kohësh ka shpallur mosbindjen civile si rrugën e vetme të qëndrimit ndaj kësaj qeverie, me datën 8 shkurt fton protestën më të fuqishme kombëtare që ka njohur Shqipëria. Ditën e shtunë. Për të treguar mospajtimin e plotë me këtë grusht kriminelësh që nuk njohin asnjë normë, asnjë moral.
Që bëjnë gjithçka për një Shqipëri pa opozitë. Që mendon se sa më shumë vjedh, aq më shumë e votojnë. Që mendon se sa më shumë poshtëron shqiptarët, aq më shumë e votojnë.
Që sa më shumë frikëson shqiptarët, aq më shumë e votojnë. Shqiptarët do ngrihen në këmbë në një protestë të fuqishme që Shqipëria nuk e ka parë kurrë më parë.
Ndaj ftoj qytetarët shqiptarë, ditën e shtunë me 8 shkurt, e gjithë Shqipëria në Tiranë, e gjithë Tirana në sheshe dhe rrugë, kundër këtij regjimi, i cili i ka bërë shqiptarëve dhe Shqipërisë dëmet më të mëdha në historinë e tyre.
Të shtunën shqiptarët zbresin në Tiranë dhe Tirana zbret në sheshe dhe rrugë Të gjitha hollësitë dhe ora e protestës do të njoftohen shumë shpejt.
Por e shtuna është dita kur shqiptarët zbresin në Tiranë dhe Tirana zbret në sheshe dhe rrugë”, u shpreh Berisha.