Në ditët e sotme, është diçka e zakonshme që të njohësh
partnerin/partneren online, në rrjetet sociale. Nuk e dimë nëse ju
kishte shkuar në mendje, por edhe moderatorja e njohur Floriana Garo
qenka njohur me Enesin virtualisht. Për herë të parë sot, në emisionin e
Rudinës, e kthyer në Shqipëri për Miss Albania (pasi do të jetë pjesë e
jurisë), Floriana ka treguar si është njohur me bashkëshortin e saj. Në
fakt për njohjen e tyre ka shumë kuriozitet, pasi Floriana jetonte në
Shqipëri dhe ai në Gjenevë. Mirëpo, programi Linkedin (një aplikacion
biznesi dhe një shërbim i orientuar drejt punësimit) i ka bërë bashkë
çiftin.

“Jam njohur virtualisht, online-në një platformë që nuk përdoret
shumë: Linkedin. Unë u futa në fakt për të parë diçka të shoqes time dhe
pashë që më kishte ardhur një mesazh, i cili ishte i shkruar dhe i
artikuluar mirë. Më pëlqeu shqipja e tij. Folëm për shumë kohë bashkë
dhe më pas vendosëm të takoheshim”,-tregoi Floriana.

Nëse po mendoni se ata janë takuar në Gjenevë ose Shqipëri gaboheni. Ata zgjodhën Italinë, për arsye praktike.

“U takuam në Itali. Mua në Shqipëri më njohin, atë në Zvicër po
ashtu. Sigurisht që ne u nisëm për diçka serioze, por jetës nuk i dihet
asnjëherë. Unë kam dashur gjithmonë që historinë time të dashurisë ta
shijoj në privatësi. Zgjodha të zhvendosem në Gjenevë, edhe pse e kisha
një karrierë timen këtu. E pamë edhe mundësinë që ai të zhvendosej në
Tiranë, por nuk funksionoi”,-rrëfeu Floriana.

Sa i përket dasmës, ajo është në planet e çiftit, por gjithmonë del
diçka që e shtyn. Gjithsesi, Floriana e ka vendosur që një ditë do ta
realizojë ëndrrën më të madhe që ka një grua: Të vishet me fustanin e
bardhë dhe të martohet me njeriun që dashuron (ata gjithsesi janë të
martuar në gjendjen civile).

Pritet vetëm festa e madhe…

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re