Fluksi i lëvizjes në pikën e Kalimit kufitar të Kapshticës vijon të mbetet i lartë sidomos në dalje të vendit tonë. Emigrantët që kaluan pushimet e fundvitit në Shqipëri tashmë po i kthehen vendeve të punës. Për këtë arsye fluks gjatë këtyre ditëve ka patur në sportelet në dalje ku në 24 orët e fundit kanë kaluar 6333 shtetas shqiptarë dhe të huaj. Ulje drastike ka pësuar intensiteti i lëvizjeve në hyrje nga Greqia në drejtim të Shqipërisë, ku pas ngarkesave të këtyre ditëve, në orët e fundit kanë hyrë në vendin tonë 1528 shtetas. Gjatë festave të fundvitit kanë qenë të shumtë emigrantët të cilët kanë zgjedhur kthimin në atdhe për të festuar me familjarët e tyre, por nga ana tjetër të shumtë kanë qenë edhe ata shqiptarë të cilët kanë zgjedhur të festojnë jashtë kufijve të Shqipërisë. Pika kufitare e Kapshticës ka pasur fluksin më të lartë të lëvizjeve gjatë ditëve të fundit të vitit që shkoi dhe ditëve të para të këtij viti. Sipas burimeve zyrtare që nga data 24 dhjetor e deri më 6 janar kanë hyrë në tokën shqiptare nga kjo pikë kufitare 56 452 shtetas shqiptarë dhe të huaj, ndërsa për të njëjtën periudhë janë larguar nga vendi 52 076 shtetas shqiptarë dhe të huaj. Pas Kapshticës më e ngarkuar ka qenë pika kufitare e Qafë Thanës ku të njëjtat burime bëjnë të ditur se që nga 2 janari e deri një ditë më parë kanë hyrë në tokën shqiptare 15 160 shtetas të huaj dhe shqiptarë ndërsa kanë dale nga pika kufitare e Qafë Thanës drejt Maqedonisë së Veriut 13 642 shtetas shqiptarë dhe të huaj. Gjatë ditëve të festave pika kufitare e Kapshticës ka punuar me numër maksimal sportelesh të cilat në ditët më më shumë fluks kanë arritur deri në 9 të tilla, ndërsa me numër të lartë sportelesh ka punuar edhe pala greke, çka ka bërë që fluksi i lartë i lëvizjeve të përballohet më së miri duke mos lejuar krijimin e radhëve të gjata dhe pritjen qytetarëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re