Dita e parë e bllokimit të qarkullimit në shumë rrethe të vendit është shoqëruar me një fluks të pazakontë telefonatash në numrin unik 112.
Në një situatë të tillë, përballë fluksit të madh të telefonatave, Policia e Shtetit ka dalë me një mesazh të rëndësishëm për gjithë shqiptarët, duke kërkuar bashkëpunim, për të evituar çdo telefonate për kërkesa informacioni.
Njoftim i Policisë së Shtetit
Policia e Shtetit në 24 orët e fundit ka pritur një fluks të pazakontë telefonatash në numrin unik 112, duke iu ofruar ndihmë mijëra qytetarëve.
Në shumë momente kohore, sidomos sot, ka patur raportime për pamundësi të arritjes së numrit unik 112.
Duke kërkuar mirëkuptimin e çdo qytetari dhe ndihmën e tij, apelojmë të racionohen thirrjet telefonike drejt 112, duke u lënë mundësinë të marrin shërbim atyre që kanë më tepër nevojë për ndihmë.
Kjo nuk është koha që për çdo pyetje informuese të telefonohet 112, të tilla si pamundësia e lëvizjes me mjet, me këmbë etj.
112 nuk është Salla Emergjente për sqarim pyetjesh, por për marrje denoncimesh apo shqetësimesh. Kjo merr një tjetër rëndësi specifike në këto momente.
Kufizimi dhe ndalimi i qarkullimit është një sakrificë që i ndihmon parandalimit të përhapjes së COVID-19 dhe kapërcimit sa më lehtë e shpejtë të kësaj situate.
#tëBASHKUAR