Zyrat e aplikimit për pasaporta biometrike dhe karta identiteti do të vijojnë punën dhe ditën e shtunë. Lajmi njoftohet nga Ministria e Brendshme dhe kompania “IdentiTek”.

 

Ky vendim siç theksohet në njoftimin zyrtar vjen si nevojë e ardhjes në ndihmë të qytetarëve, ku shumë prej aplikantëve janë emigrantë që kanë ardhur në vendlindje për pushime.

 

Në njoftim shpjegohen edhe hapat që qytetarët duhet të ndjekin për t’u pajisur me këto dokumente identifikimi.

 

Hapat që duhen ndjekur:

 

Procedura për aplikim për pasaportë biometrike ju merr vetëm pak minuta kohë, në zyrën e “IdentiTek”, që ndodhet në zonën ku banoni. Së pari, blini një kupon tek çdo zyrë e Postës Shqiptare. Nëse aplikoni për herë të parë plotësoni në e-Albania formularin e Policisë së Shtetit. Nëse dokumenti është rinovim, ky formular nuk është i nevojshëm.

 

Aplikimin për ID kartë e bëni në zyrën ku jeni banor, duke u paraqitur me një kupon të blerë në zyrën e Postës Shqiptare. Riaplikimi për ID kartë mund të bëhet në çdo zyrë, pavarësisht vendbanimit. E gjithë procedura merr pak minuta.

 

MB dhe “IdentiTek” fton qytetarët që u ka përfunduar afati i vlefshmërisë së kartave të identitetit, të kryejnë sa më parë procedurat për rinovimin e saj. Përmes ID kartës përfitohen shërbime online, por edhe mundësia për të udhëtuar në vendet e rajonit me të cilat kemi marrëveshje.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re