MALI I ZI- Për shkak të numrit të lartë të refugjatëve të paligjshëm që tentojnë të kalojnë për në vendet e Bashkimit Evropian, Mali i Zi po planifikon të ndërtojë një gardh me tela në kufi me Shqipërinë.

Me mijëra refugjatë nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore po provojnë fatin për të arritur në vende më të pasura evropiane, pasi trafikantët kanë krijuar një shteg të ri ballkanik që shkon nga Greqia përmes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bosnjës në anëtaren e BE-së, Kroaci, raporton Reuters.

Bosnja tashmë ka nisur të përballet me mijëra refugjatë që janë ngujuar në këtë vend, pasi një shteg përmes Turqisë, Greqisë, Maqedonisë dhe Serbisë u mbyll në vitin 2016, kur Turqia u pajtua të frenojë rrjedhën e refugjatëve në këmbim të ndihmës së BE-së.

“Në rast të një fluksi më të madh të refugjateve, mund të ngremë një gardh me tela të mprehtë në kufi me Shqipërinë”- ka thene Vojislav Dragovic, shef i departamentit për mbikëqyrje të kufirit shtetëror në Mal të Zi.

Ai ka thënë gjithashtu se autoritetet shqiptare shpesh kanë refuzuar të pranonin klandestinët e kthyer nga Mali i Zi në bazë të marrëveshjes së tyre bilaterale për ripranim.

Shumë shtete evropiane kanë ngritur gardhe me tela në kufijtë e tyre për të frenuar fluksin e refugjatëve gjithmonë në rritje. Hungaria ka vendosur gardh në kufijtë me Serbinë dhe Kroacinë gjatë krizës që shpërtheu në vitin 2015, kur më shumë se 1 milion emigrantë hynë në Evropë.

(d.d/BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re