Kandidatja për deputete e PD-së në qarkun e Elbasanit, Flutura Açka, komentoi sot librin e ri të kryedemokratit Basha me titull: “Misioni im”, duke e cilësuar si një traktat për Shqipërinë që duhet ta lexoje çdo shqiptar.

Botuesja Açka u shpreh se më në fund duhet ta kthejmë timonin sepse na ka shkuar Shqipëria në drejtim të paditur.

“Ky libër më ka rënë në dorë kur unë nuk isha kandidate prandaj dua ta them këtë gjë se është shumë e rëndësishme. Unë jam e hapur për çfarëdo politikani. Madje ka disa politikanë tani nuk dua t’i them emrat të cilëve u kam sugjeruar si botuese që t’i shkruajnë jetët e tyre që kanë dalë nga politika, që janë në politikë sepse shoh siç jua thashë, një pjesë e debatit publik shumë të rëndësishëm që është i domosdoshëm për demokracinë dhe që në Evropën e sotme është gjëja më normale.

Që çdo politikan, ai që e ndjen të nevojshme pikëpamjet e tij t’i bëjë publike, t’i thotë dhe të debatojë publikisht është gjëja më normale në Evropën e sotme dhe me këtë lloj gjuhe publike duhet të mësohemi, jo të shajmë njëri-tjetrin, por të debatojmë me argumenta për ato që ne na dhëmbin të gjithëve, për ato që u dhembin njerëzve për të cilët ne mendojmë se do t’i përfaqësojmë”, tha ajo.

Botuesja Açka theksoi se nuk duhet ta trajtojmë më tjetrin si armik, ndërsa u shpreh se thirrja e saj është që të mblidhen 5, 10, apo 100 njerëz të mençur dhe ta kthejnë Shqipërinë në binarë.

“Kështu që në këtë libër jam e hapur edhe për atë që mund të quhet kundërshtari politik që më sheh si kundërshtar politik. Absolutisht unë jam botuese dhe do të vazhdoj se kjo është ndjesia ime, kjo është jeta ime. Do ta vazhdoj edhe do të jem e hapur edhe për kundërshtarin në qoftë se ai ka pikëpamje që kanë të bëjnë me debatin publik larg sharjeve, larg fyerjeve, larg trajtimit të tjetrit si armik.

Ne nuk jemi armiq, ne të gjithë bashkë jemi vetëm për një gjë: Ta kthejmë më në fund timonin sepse na ka shkuar Shqipëria në drejtim të paditur. Dhe ky libër është një kërkesë pikërisht për këtë gjë: Hajde ta kthejmë Shqipërinë në normalitet. Po të citoj një mikun tim opinionist që thoshte “ Hajde të mblidhemi qelbësira dhe të heqim Sali Berishën”, unë them hajde të mblidhemi 5 njerëz, 10 njerëz, 100 njerëz të mençur dhe ta kthejmë Shqipërinë në binarë të vërtetë”.

Botuesja u shpreh se ajo çka i ka pëlqyer në libër është trajtimi që Basha premton se do t’i bëjë opozitës.

“Kjo është thirrja që ka ky libër. Ejani të mendojmë bukur se më në fund jemi lodhur nga sharjet, nga fyerjet. Sidomos një nga gjërat më të rëndësishme në këtë libër që mua më ka pëlqyer dhe kam dëshirë t’jua them publikisht zoti Basha. Është trajtimi që ju premtoni se do t’i bëni opozitës. Ka shumë rëndësi. Opozita është pjesë e demokracisë, nuk mund ta fyesh. Nuk ka të drejtë askush që është në pushtet ta bëjë. As zoti Basha nesër pasnesër nuk ka të drejtë ta bëjë politike.

Opozita është pjesë shumë e fortë e demokracisë që na mëson ne ku i kemi gabimet për t’i bërë punët më mirë. Kështu që ju komplimentoj pikërisht për këtë gjë se kjo është një frymë evropiane që ne na duhet ta çimentojmë, jo ta sjellim, ta çimentojmë më në fund në Shqipëri. Kështu që unë ju përgëzoj për librin, ju përgëzoj edhe për këtë debat publik që hapni edhe do të vazhdohet besoj edhe nga politikanë të tjerë që kanë dëshirë të jenë pjesë e këtij debati publik. Edhe unë sigurisht si “Skanderbeg Book”, jam e nderuar që botoj një traktat të kësaj natyre dhe që besoj se do të vazhdojë edhe të jetë ndoshta një mundësi për të debatuar edhe më gjerë”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re