Këto janë pamjet nga kamerat e sigurisë, që tregojnë momentin e aksidentit të rëndë, që ndodhi pasditen e së enjtes te rrethrrotullimi i Saukut. Fatmirësisht, përplasjes fatale i ka shpëtuar një mjet tip “Benz”, i cili në ato momente po kalonte në këtë rrethrrotullim.

 

Në muret e mbikalimit, janë ende prezente shenjat e përplasjes së fortë, ndërsa policia ka vendosur barriera betoni, pasi ato metalike janë shkatërruar.

 

I shoqëruar me dy vajza të reja, Klevis Ruçaj, 20-vjeçari nga Fieri, i apasionuar pas shpejtësisë, u përfshi në një nga ngjarjet rrugore më tronditëse, të ndodhura vitet e fundit.

 

Pasagjeret e “Audi” A8-ës, Sikela Përroj, 23 vjeçe dhe Erisilda Abedini, 22 vjeçe, nuk mundën t’i mbijetonin plagëve dhe ndërruan jetë në vend. Pak më vonë ndërroi jetë te spitali i Traumës edhe drejtuesi i makinës.

 

Sipas burimeve, me një shpejtësi mbi 200 km/h, mjeti me të cilin po udhëtonin tre të rinjtë ka kaluar në anën tjetër të autostradës, duke përfunduar mbi makinën tjetër tip “Honda”, ku për pasojë mbeten të plagosur 3 persona.

 

Familja Kurti, pjestarët e të cilës mbetën të plagosur, po udhëtonin nga Tirana drejt Elbasanit. Fatmirësisht, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

 

I çuditshëm mbetet fakti që Klevis Ruçajt, një shkelës i përsëritur i Kodit Rrugor, nuk i ishte bllokuar leja e qarkullimit. Burime bëjnë me dije se 20-vjeçari, prej më shumë se një viti, kishte marrë patentën.

 

Brenda 5 muajve, nga shtatori deri në janar të këtij viti, ai kishte marrë të paktën 5 gjoba, për parakalim të gabuar, përdorim celulari në timon, shpejtësi tej normave, por edhe për gara sportive. Gjobat ndaj tij varionin nga 1 mijë, deri në 25 mijë lekë të rinj.

 

I riu madje, reklamonte në rrjetet sociale edhe mjetet e tij. Në një video të postuar prej 20-vjeçarit, ai mburrej që me një mjet kishte arritur deri në 271 km/h.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re