Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) tha se ka arritur marrëveshje me Ukrainën për financimin katërvjeçar të një pakete në vlerë prej 15.6 miliardë dollarë, duke i ofruar fonde shtetit që po vazhdon të mbrohet nga pushtimi i Ruisë.

 

Marrëveshja, e cila duhet të ratifikohet nga bordi i FMN-së, ka marrë në konsideratë rrugën e Ukrainës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian pasi të përfundojë lufta. FMN-ja tha se bordi ekzekutiv pritet të miratojë këtë marrëveshje në javët në vijim.

 

“Qëllimet kryesore të programit janë të mbështesin stabilitetin ekonomik dhe financiar në rrethana të pasigurisë jashtëzakonisht të lartë, të rivendosin qëndrueshmërinë e borxhit dhe të mbështesin rimëkëmbjen e Ukrainës në rrugën drejt pranimit në BE pas mbarimit të luftës”, tha zyrtari i FMN-së, Gavin Grey, përmes një deklarate për media.

 

Një grua duke mbajtur macen e saj teksa kalon pranë ndërtesave që u shkatërruan nga bombardimet ruse në Borodyanka në rajonin e Kievit të Ukrainës në prill.

 

Stafi i FMN-së ka njoftuar anëtarët e bordit për marrëveshjen, që paraqet pakon e kredisë më të madhe për Ukrainën që kur Rusia nisi pushtimin e këtij shteti më 24 shkurt 2022.

 

FMN-ja tha se marrëveshja pritet të ndihmojë në një financim të madh për Ukrainën nga donatorët ndërkombëtarë dhe partnerët, por nuk dha detaje. Zakonisht, kreditë e FMN-së mundësojnë mbështetje edhe nga Banka Botërore dhe institucione të tjera financiare.

 

Sipas përllogaritjeve, kostoja e rindërtimit të Ukrainës vlerësohet të jetë qindra miliarda dollarë.

 

“Një rimëkëmbje graduale ekonomike pritet gjatë tremujorëve të ardhshëm, pasi aktiviteti rimëkëmbet nga dëmet e mëdha në infrastrukturën kritike, megjithëse ka ende rreziqe të mëdha, përfshirë edhe rrezikun e përshkallëzimit të mëtejmë të konfliktit”, tha Grey.

 

Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, mirëpriti marrëveshjen dhe falënderoi FMN-në për mbështetjen.

 

Nëse miratohet kjo marrëveshje, ashtu siç pritet të ndodhë, programi për Ukrainën do të jetë kredia më e madhe që FMN-ja i ka dhënë një shteti të përfshirë në konflikt aktiv./REL/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re