Policia e Vlorës e mbështetur nga FNSH-ja e Fierit bëri të mundur arrestimin e njërit prej autorëve të vjedhjes me armë të ndodhur mëngjesin e kësaj të marte në zonën e “Skelës”.

Pas 30 minutash u kap në kodrat e Panajasë njëri prej autorëve të grabitjes, konkretisht shtetasi:  Armand Kuqi, 29 vjeç, lindur në Mamurras dhe banues në Tiranë.

 

Ndërkohë Policia vijon ndjekjen për kapjen e dy personave të tjerë të cilët janë larguar me shpejtësi në kodrat përreth duke u futur në pyll ku ende vijon krehja e zonës për kapjen e tyre.

 

Në afërsi të vendit ku u kap autori i parë është konstatuar edhe një shtetas tjetër i cili është shoqëruar në Polici e po punohet për të parë nëse ka ose jo lidhje me ngjarjen.

 

Në cilësinë e provës materiale Policia ka bllokuar dhe sekuestruar 2 automjetet dhe 2 armët e zjarrit që dyshohet se janë përdorur nga autorët.

 

Për identifikimin dhe kapjen e autorëve janë angazhuar rreth 70 forca policore  ndërsa për ndjekjen e tyre po përdoret edhe qeni i gjurmës.

 

Rreth orës 09:05 të kësaj të marte, në zonën e Skelës pranë stadiumit “Flamurtari”, 3 persona dyshohet të maskuar grabitën nën kërcënimin e armëve të zjarrit dhe dhunës shoferin e autobuzit të linjës “Itali-Vlorë”, si dhe disa nga pasagjerët e autobuzit.

 

Autorët e ngjarjes pas grabitjes u larguan menjëherë me dy automjete , të cilët në tentativë për t’iu shpëtuar  forcave të policisë që ishin vënë në ndjekje të tyre I braktisen 2 mjetet me të cilët u larguan nga vendi i ngjarjes tek nënkalimi i “Panajasë” dhe u larguan në këmbë nëpër kodrat e Panajasë për tu fshehur në pyll.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re