Politikania Arta Dade e ftuar në emisionin ‘Fol me mua’, në lidhje me emrat e prezantuar për deputet nga Partia Socialiste, Dade tha se nuk është bërë zgjedhja e duhur me përzgjedhjen e tyre.
Sipas saj, kur një person i cili është i suksesshëm në punën që bën nuk duhet ta marrësh ta çosh në parlament, ndërkohë që ky individ është shumë i domosdoshëm në pozicionin e punës që ka për shkak të peripecive dhe sfidave që po kalon vendi nga pandemia.
“Më vjen keq për shembull ke një specialist të shkëlqyer, grua qoftë burrë qoftë dhe drejton një institucion të rëndësishëm, jo për faktin që ke një specialist kaq të spikatur dhe që është kaq i suksesshëm në punën që bën ti mund ta marrësh atë dhe ta çosh në parlament.
Vetë duhet të bësh përllogaritjet ku e gjen ti veten dhe a prish punë në këtë sektorin që ke drejtuar deri tani, siç është rasti tani që pam disa emra të spikatur, por që ata janë shitur në opinionin publik si specialistë mirëfilli.
Në qoftë se do të bëhet një bilancë tani, do të jenë më të spikatur dhe do të jenë më të nevojshëm, më të domosdoshëm në Parlament apo mund të jenë më të domosdoshëm atje ku drejtojnë sektorët e rëndësishëm, aq më tepër në kushtet e tanishme të pandemisë dhe të sfidave të jashtëzakonshme që ka jo vetëm Shqipëria, por gjithë njerëzimi në përballjen me pandeminë dhe impaktin që pandemia ka patur në ekonomi në anën sociale, në arsim, në shëndetësi, në shumë gjëra të tjera”- tha Dade.
Ndër të tjera ajo tha se Parlamenti nuk është më në rolin e tij kushtetues, pasi ka ardhur duke u përkeqësuar në nivel të cilësisë sepse nuk ka më debate të mirëfillta, nuk ka kritika dhe nuk trajtohen problematikat që ka vendi.
“Unë besoj që parlamentet kanë ardhur duke u përkeqësuar në nivel të cilësisë. Tani është bërë vërtet parlamenti që shpesh njerëzit e mbyllin televizorin sepse nuk dëgjojnë asgjë, nuk ka debate mirëfilli, nuk ka debate për problematikën që ka vendi, nuk ka kritika qoftë edhe nga maxhoranca për qeverinë. Pra parlamenti nuk është në rolin e tij kushtetues sepse roli i parlamentit është vërtet të hartojë ligje, por është edhe të monitorojë ekzekutivin“- u shpreh Dade.
(S.D/Faxweb.al)
/faxweb
