Deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu ka mbajtur një fjalim të ashpër para Kryeministrisë, në kuadër të “Foltores-Kuvendi i qytetarëve dhe deputetëve”.
Duke lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë, Balliu e cilësoi situatën aktuale politike si një moment kritik për vendin, ku, sipas tij, korrupsioni, kapja e institucioneve dhe lidhjet me krimin e organizuar kanë arritur nivele alarmante.
Sipas Balliut përgjegjësi direkte mban kryeministri për aferat korruptive dhe klikën qeveritare, si dhe te nevoja për një qëndresë qytetare në mbrojtje të vlerave demokratike, shtetit të së drejtës dhe interesit kombëtar.
“Të gjithë këta janë hajdutë, po kryehajduti është Edi Rama.
Duke filluar me Belinda Ballukun, e cila ka përgjegjësitë e veta, ka vjedhjet e veta, ka hajdutëqet e veta, por asnjë aferë korruptive Belinda Balluku nuk e bënte dot pa projektet dhe miratimin e Edi Ramës.
Asnjë ministër, deputet, asnjë eksponent i Partisë Socialiste i lidhur me krimin e organizuar, nuk mund të shkonte te krimi i organizuar pa aprovimin e narko-kryeministrit Edi Rama.
Të gjithë këta kanë vetëm një të përbashkët. Të gjitha krimet në Shqipëri kanë një të përbashkët. Të gjitha vjedhjet në Shqipëri kanë një të përbashkët. Ajo e përbashkët është Edi Rama. Armiku numër një, sot i çdo qytetari shqiptar është Edi Rama.
Kemi parë se si e gjithë qeveria dhe mediat e kapura nga pushteti po tentojnë të na shpjegojnë se pse Belinda Balluku nuk duhet të arrestuar. Sepse Belinda Balluku nuk duhet të ishte në burg. E vërteta është që nuk e kanë hallin e Belinda Ballukut, kanë hallin e Edi Ramës. Sepse Belindën te turqit e çoi Edi Rama. Belinda nuk i njihte turqit. Te turqit Belindën e çoi Edi Rama.
Dhe çfarë bëjnë sot? Sulmojnë këtë qëndresë. Sulmojnë gjithsecilin nga ju. Ju sulmojnë sepse ju kanë frikë. Ju sulmojnë sepse e dinë që ajo që ju përfaqësoni është diçka që ata s’mund ta përfaqësojnë kurrë. Sepse ju përfaqësoni të vërtetën. Qëndresën që sot bëhet këtu dhe në çdo cep të Shqipërisë, po bëhet nga qytetarët të ndershëm. Është një qëndresë e cila nuk i shërben një njeriu, nuk i shërben një deputeti, nuk i shërben një partie, por i shërben interesit kombëtar shqiptar, sepse Edi Rama dhe qeveria e tij janë qeveria anti-kombëtare, janë qeveria e shpopullimit, janë qeveria e vjedhjes. Ndaj të nderuar miq, për mua sot është privilegj që ndodhem mes jush dhe që kam mundësinë të flas këtu”, u shpreh ndër të tjera Balliu.



