Ka përfunduar edicioni i shtatë i cmimeve kombëtare “Harpa”, i cili si cdo vit tjetër ka mbledhur figura e personalitete të njohura në një mbrëmje gala. Kjo ngjarje e rëndësishme kulturore, e mbështetur nga Bashkia Fier, është kthyer tanimë në një traditë dhe ka sjellë në vëmendjen e publikut emra, institucione e personazhe me kontribute të vyera në disa fusha të artit, kulturës e letërsisë.

Aktivitetin e çeli drejtuesja e Fondacionit “Harpa”,
Majlinda Rama, e cila theksoi se çmimet “Harpa” edhe këtë vit, shkojnë për emra
dhe institucione që i kanë shërbyer të mirës së përgjithshme, që kanë ndihmuar
në rritjen e cilësisë dhe përsosjes së artit dhe kulturës si dhe në zhvillimin
dhe ngritjen imazhit kombëtar në botë.

Këtë vit, fokus ishte tërmeti i 26 nëntorit, ndërsa u dha
një cmim për qytetarët, për humanzimin e lartë të treguar në mbështetje të të
prekurve. Nënkryetarja e Bashkisë Enkelejda Peshkëpia, u shpreh se ka qenë
emocionuese kur kësaj kauze iu bashkuan edhe fëmijët fierakë.

Ndërkohë, prefekti i qarkut Fier, Baki Bala u shpreh se kjo
natë është në nderin e qytetit të Fierit, pasi brenda një salle të vogël
gjendet e gjithë Shqipëria bashkë. Sipas Balës, merita i shkon Fondacionit
“Harpa” që ka mundur ta mbajë e ta përsosë këtë aktivitet nga viti në vit.

Kryetarja e Këshillit të Qarkut, Evisa Sema, ka thënë se
Fondacioni “Harpa” është vlerë e shtuar që ka ditur t’i japë një fytyrë serioze
këtij çmimi, duke e bërë atë një ndër më autoritarët në rang kombëtar dhe jo
vetëm.

Ndërkohë, “Çmimin e Madh Harpa” e mori aktori dhe regjisori
i njohur, Mevlan Shanaj me motivacion “Personalitet i shquar i kinemasë, me
kontribut në kulturën kombëtare shqiptare. Aktor i veçantë dhe regjisor i
suksesshëm i filmit artistik dhe atij dokumentar”.

Në këtë mbrëmje u dhanë këto cmime:

Çmim Special për Qytetarët Fierakë, me motivacion:”Për
të gjithë qytetarët fierakë, që me solidaritet dhe ndjenjë të lartë humanizmi,
kontribuuan shpirtërisht, moralisht dhe materialisht për të dëmtuarit e
tërmetit të 26 nëntorit, duke përçuar mesazhin universal të dashurisë
njerëzore”.

Çmim “Aktori i vitit” për Koço Qëndron, me motivacion “Për
dinamizmin, emocionet, interpretimin e jashtëzakonshëm dhe plot energji në
rolin e Harpagonit, të komedisë ‘Kopraci”.

Fondacioni Kulturor “Harpa” shpall fituesit e vitit 2019.

Çmim “Regjisori i vitit” për Dhimitër Orgockën, me
motivacion “Aktor dhe regjisor me përvojë të gjatë krijuese. Risolli në skenë,
plot finesë dhe emocion artistik, komedinë ‘Kopraci’ të Molierit”.

U dhanë disa cmime Karriere:

Aktorit të madh Timo Flloko, me motivacion: “Personalitet i
shquar. Emër i madh i plejadës së artit shqiptar dhe mjeshtër i aktrimit.
Artist i dashur për publikun”.

Fondacioni Kulturor “Harpa” shpall fituesit e vitit 2019.

Shkrimtarit dhe studiuesit të njohur, Sadik Bejko, me
motivacion:”Shkrimtar dhe studiues i apasionuar, i cili, me punën e
palodhur dhe plot përkushtim, ka krijuar kolanën e tij të veçantë në korpusin e
letrave shqip, gjatë disa dekadave të procesit krijues”.

Këngëtarit të njohur, Bashkim Alibali, me motivacion:
“Një nga ikonat e këngës shqiptare. Ndër zërat unikalë të një brezi ‘të
artë’, që rrallë i vijnë muzikës sonë. Këngëtar që do të ketë adhuruesit e tij
në çdo kohë”.

Studiuesen Klara Kodra, me motivacion: “Për kontributin e
dhënë në fushën e studimeve dhe të kritikës letrare, studiuese me
individualitet të spikatur, që ka ditur të ndërtojë kode unike ligjërimi”.

Poetin Petrit Ruka, me motivacion: “Për nivel të lartë
artistik dhe estetik në vëllimin ‘Shami të zeza qiellore’. Krijues i një vargu
të veçantë dhe mbresëlënës”.

Çmimin “Editori i vitit” e mori Mark Simoni, me motivacion:
“Për kontribut të veçantë në letërsi, si autor dhe botues. Për mbështetjen ndaj
krijuesve të rinj si dhe botimin e letërsisë bashkëkohore shqiptare.

U dhanë dy çmime në gazetari, ku u shpallën gazetarët më të
mirë, Kristaq Thano, me motivacion: “Për kontributin e dhënë në fushën e gazetarisë.
Për korrektesën dhe përcjelljen në kohë reale të aktualitetit”.

Dhe Besnik Sulejmani, me motivacion: “Për punën e palodhur
dhe këmbëngulëse në pasqyrimin e realitetit, si dhe për urën e komunikimit që
ka krijuar me publikun përmes emisioneve të tij”.

U dha një Çmim Special për mjekun e njohur, Kilo Stoja, me
motivacion: “Mjek me karrierë të gjatë. Një kontribut të veçantë ka dhënë
përmes librit ‘Sëmundjet profesionale te naftëtarët’, si një vlerë e shtuar
humane”.

Në kategorinë “Çmimi i Publikut”, u dhanë tre të tilla:

Irena Pricit, me motivacion: “Promovuese dhe kontribuese në
fuqizimin e jetës letrare. Karakterizohet nga pasioni, puna e palodhur dhe
dashuria për librin”.

Odise Plakut, me motivacion: “Krijues në disa zhanre të
letërsisë, ku spikat në fushën e dramaturgjisë dhe letërsisë për fëmijë”.

Eliverta Kaninës me motivacion: “Për aktivitet të larmishëm
në jetën artistike”.

Po ashtu në nderim të personaliteteve që nuk jetojnë më, u
dhanë In Memoriam, për shkrimtarin Maku Pone, me motivacion: ”Për kontribut të
veçantë në letrat shqip. Ka lënë pas një trashëgimi të konsiderueshme në
letërsinë për fëmijë, dramaturgji, poezi, prozë dhe publicistikë”.

Për studiuesin Arben Xoxa, me motivacion: “Një prej
personaliteteve të spikatura të mendimit kritik. I përkushtuar në studimin dhe
botimin e veprave mbi historinë dhe çështjen shqiptare”.

Për aktorin e humorit, Muhamet Lika, me motivacion: “Një nga
ikonat e estradës dhe humorit shqiptar. Me plastikë të veçantë dhe interpretim
virtuoz, ai ka gdhendur një mori personazhesh, që mbeten ende të gjalla për
publikun”.

Për këngëtarin Jani Tase, me motivacion: “Për kontributin
shumëvjeçar në ruajtjen e vlerave të këngës qytetare fierake”.

Mbrëmja u shoqërua nga surpriza të shumta dhe pati karakter
festiv.

Ky është i shtati vit vit që nga “Harpa” jepen cmime, duke u vlerësuar një sërë emrash dhe personalitete që kanë dhënë kontribute të rëndësishme në fushat e tyre.

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re