Fondacioni i Ndihmës Humanitare (IHH) ka bërë të ditur se gjatë muajit të Ramazanit synon të sigurojë ndihmë për më shumë se 20 mijë sudanezë.
Duke folur për AA, përfaqësuesi i IHH-së në Sudan, Bilal Bahçi, tha se grupi ka shpërndarë pako ushqimore për familjet në nevojë në lagjen Hattab, në veri të kryeqytetit Khartoum.
Masa vjen si pjesë e fazës së parë të fushatës së titulluar “Shpresa në Ramazan”.
Bahçi tha se fushata përfshin sigurimin e ndihmave gjatë muajit të agjërimit për 20 mijë njerëz në pjesë të ndryshme të Sudanit.
Në kuadër të fushatës, grupi do të shpërndajë vakte të iftarit për rreth 3 mijë njerëz, pako ushqimore për mbi 2 mijë familje në nevojë, si dhe rroba për 1 mijë jetimë.
Përfaqësuesi i IHH-së në Sudan përsëriti përpjekjen e Turqisë për t’u dhënë ndihmë nevojtarëve, refugjatëve dhe jetimëve gjatë muajit të Ramazanit kudo në botë.
