Fondacioni turk Maarif sot ka marrë administrimin e plotë të një shkolle të drejtuar më parë nga organizata terroriste FETO në shtetin Oromia të Etiopisë pas viteve të betejës ligjore.

“Dorëzimi zyrtar i shkollës së shpejti do të pasojë pas përfundimit të transferimit të asetit”, tha për AA, Levent Sahin, përfaqësuesi i Maarif-it në Etiopi.

Shkolla e fituar së fundmi në qytetin Sebeta është shkolla e dytë në Etiopi pasi Fondacioni turk Maarif mori një shkollë të drejtuar nga FETO në Harar në korrik të vitit 2019.

Sahin po ashtu tha se një betejë ligjore është duke u zhvilluar për të marrë kontrollin e katër shkollave të tjera në kryeqytetin etiopian, Addis Ababa dhe së shpejti llogaritë bankare dhe asetet e shkollave të drejtuara nga FETO do të ngrihen me një urdhër gjykate.

Prokurorët e përgjithshëm federalë dhe shtetërorë po hetojnë kompanitë e FETO-s në vend dhe ata janë akuzuar për terror dhe pastrim parash, tha ai.

“Pas hetimit, prokurorët e përgjithshëm të shtetit vendosën të pezullojnë licencat e arsimit të kompanisë Stem që i përkasin organizatës terroriste. Ne duam të shohim se ky do të jetë një shembull për shkollat e tjera”, shtoi Sahin.

FETO dhe udhëheqësi i saj me qendër në SHBA, Fetullah Gülen orkestruan grusht shtetin e mposhtur të 15 korrikut në vitin 2016, në të cilin 251 persona u martirizuan ndërsa 2.734 të tjerë u plagosën.

Pas grusht shtetit të mposhtur, Turqia themeloi Fondacionin Maarif për të marrë administrimin e shkollave jashtë shtetit të lidhura me FETO-n. Ai po ashtu themelon shkolla dhe qendra arsimore jashtë vendit.

FETO ka një prani të konsiderueshme jashtë vendit, përfshirë shkollat private të cilat shërbejnë si një rrjedhë e të ardhurave për grupin terrorist.

Vizitë te shkolla në Sebeta

Më herët zyrtarët e Maarif-it të shoqëruar nga zyrtarë të administratës lokale vizituan shkollën në Sebeta.

Cihad Demirli, një anëtar bordi i Fondacionit turk Maarif, për AA tha se ata janë shumë të lumtur që marrin përsipër shkollën në përvjetorin e grushtit të shtetit të mposhtur në Turqi më 15 korrik të vitit 2016.

Demirli tha se “Shkollat në Alamgena u dorëzuan pas një hetimi ndaj kompanive të FETO-s. Ne po presim të marrim të gjitha shkollat e FETO-s pas këtij vendimi”.

Ai përshëndeti zyrtarët e shtetit Oromia dhe prindërit duke thënë se “ata luajtën një rol të madh në këtë sukses”.

Arsimi do të fillojë në shtator pasi të plotësohen nevojat teknologjike dhe infrastrukturore në shkolla.

Alemu Eteecha, kreu i Byrosë arsimore të qytetit Sebeta për AA tha se marrja e shkollës nga Maarif është një ngjarje e mirëpritur.

“Do t’i sigurojmë Maarif-it çdo mbështetje të nevojshme”, tha ai teksa shkolla pritet të rifillonte mësimin gjatë vitit të ardhshëm akademik.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re