Procesi i kompensimit të pronarëve, tokat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet informale, po vijon me ritme të qëndrueshme.
Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njofton se gjatë muajit korrik 2025 janë ekzekutuar vendimet për 161 dosje, me një vlerë totale prej 136.9 milionë lekësh, që përkthehet në rreth 1.4 milionë euro. Këto pagesa u shpërndanë për pronarët, të cilët kanë përfituar të drejtën e dëmshpërblimit pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe miratimit të vendimeve përfundimtare. Paralelisht gjatë të njëjtës periudhë janë regjistruar 71 dosje të reja për shqyrtim, çka tregon se interesi për të përfituar nga skema e kompensimit mbetet i lartë.
KOMPENSIM NË PARA DHE TOKË
Një pjesë e pronarëve kanë përfituar kompensim financiar të drejtpërdrejtë. Është realizuar kompensimi financiar i vendimeve përfundimtare që kanë njohur të drejtën e kompensimet për 1 dosje deri në vlerën 1.5 milionë lekë, ku vlera e ekzekutuar është 1.45 milionë lekë. Janë trajtuar 4 dosje me kërkesë të veçantë, ku llogaritet se përfitimi total i subjektit në bazë të përqindjes së aplikuar me kërkese të veçantë është 102.8 milionë lekë, ndërsa kësti që i kalon subjektit është 20.5 milionë lekë. Përveç kompensimit financiar, ATP ka realizuar edhe shpërndarjen e kompensimit fizik. Në muajin korrik, pronarëve u janë dhënë 80.664 metra katrorë tokë, duke ofruar kështu një alternativë reale për zëvendësimin e pasurive të humbura. Agjencia thekson se kompensimi i pronarëve është një proces i vazhdueshëm, i cili do të vazhdojë të zbatohet deri në përfundimin e shqyrtimit të të gjitha kërkesave dhe dosjeve të depozituara. Për këtë arsye, buxheti i shtetit garanton çdo vit një fond financiar jo më të vogël se 50 miliardë lekë, i cili do të vihet në dispozicion të ATPsë deri në vitin 2028. Aktualisht, mbi 7 mijë dosje mbeten ende pa vendim, ndërsa qeveria ka miratuar shtyrjen e afatit me tri vite, deri në fund të vitit 2027, për shqyrtimin e tyre.
Paralelisht, institucionet shtetërore kanë detyrimin të kryejnë kompensimin për mbi 25 mijë vendime të arkivuara ndër vite, të cilat presin zbatim. Edhe pse procesi ka qenë i ngadaltë ndër vite, përfitimet e muajve të fundit tregojnë një lëvizje pozitive për pronarët, të cilët prej kohësh kanë kërkuar kompensimin e pronave të zëna nga ndërtimet informale. Nëse ritmi i ekzekutimit të dosjeve mbahet i qëndrueshëm dhe fondet buxhetore garantohen sipas planit, mijëra qytetarë pritet të marrin dëmshpërblimin e merituar deri në përfundim të afatit të ri ligjor.
STATISTIKAT
Edhe pse rruga drejt përfundimit të procesit mbetet e gjatë, shifrat e korrikut tregojnë një dinamikë më të gjallë dhe japin sinjale pozitive për mijëra pronarë që presin dëmshpërblimin. Me fondin e garantuar dhe me një ritëm më të lartë të ekzekutimit të dosjeve, qeveria synon të mbyllë një nga çështjet më të ndjeshme të trashëguara në pronësi, duke i dhënë pronarëve jo vetëm kompensimin e munguar, por edhe një ndjesi më të fortë drejtësie.
ATP sqaron se çdo kërkesë për kompensim trajtohet vetëm pasi të ketë përfunduar shqyrtimi administrativ dhe verifikimi i plotë i dokumentacionit, për të shmangur abuzimet dhe për të garantuar shpërndarjen e drejtë të fondeve. Ky është edhe një nga arsyet pse procesi ka zgjatur për dekada dhe pse ende mbeten pa vendim mbi 7 mijë dosje. Qeveria ka shtyrë afatin deri në fund të vitit 2027 për shqyrtimin e tyre, duke synuar që të mos mbetet asnjë rast i hapur. Paralelisht, institucionet kanë detyrimin të kryejnë kompensimin për mbi 25 mijë vendime të arkivuara prej vitesh, që ende nuk janë ekzekutuar.