Fondi i Mirëbesimit i krijuar në vitin 2013 për zhvillimin e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, ka arritur vlerën e afër 15 milionë eurove. Kështu bën të ditur Ministria e Financave e Kosovës.

Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave Bedri Hamza, thotë se qëllimi i krijimit të Fondit ka qenë integrimi dhe zhvillimi i komunave veriore.

“Fondi do të ketë efekt në integrimin jo vetëm të serbëve, por të të gjitha komuniteteve që jetojnë në këto komuna. Ne kemi arritur në fazën ku të gjitha procedurat e këtij fondi po zhvillohen nëpërmjet legjislacionit të Kosovës, pasi që dihet se në kohën kur ka filluar ky fond, nuk e kemi pasur shtrirjen ligjore edhe në atë pjesë të Kosovës”, tha Rafuna.

Por Marko Jakshiç nga Mitrovica e Veriut, njohës i zhvillimeve në Kosovë, për mjetet e ndara në këtë fond thotë se nuk janë shfrytëzuar për projekte të duhura. Ai ngre dyshime se mjetet e këtij fondi edhe mund të keqpërdoren.

“Nuk ka ndikuar fare. Është menduar si diçka që do ta nxiste zhvillimin ekonomik të komunave të Veriut. Por, për shkak të burokracisë së tepërt, mjetet nga ky fond nuk janë shfrytëzuar për gjëra të duhura dhe për projektet infrastrukturore në veri. Kështu që ato para po qëndrojnë në xhirollogari dhe frikësohem se ndonjë ditë do të keqpërdoren”, thotë Jakshiç për Radion “Evropa e Lirë”.

Ndër vite bëhet e ditur se një shumë e këtyre mjeteve në katër komunat veriore (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan) është investuar në projekte të ndryshme kapitale.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re