Pas shprehjes së famshme ‘Me qetësi dhe dashuri’ që përdori dikur Ilir Meta si një ‘recetë’ për politikën në vend, presidenti në daljet e tij publike ndalet gjerësisht tek Kushtetuta dhe respektimi i ligjit.

Teksa ishte i ftuar në një bashkëbisedim me studentët ekselentë të UET ku u pyet se si e ruante qetësinë, Meta tha se në punën e tij si kryetar shteti ka presione të jashtëzakonshme. Ai pohoi se presionet ndodhin edhe për shkak të forcave të jashtme, që ndikojnë edhe politikën vendase, për prishje të imazhit të Shqipërisë.

“Politika është çdo gjë. Por është dhe eksperiencë dhe mbi të gjitha….eksperiencë. Sado të lexosh në diplomaci, eksperienca të mëson. Nëse arrijë të menaxhoj në disa momente, të jeni të sigurt se kam presione të jashtëzakonshme. Nuk është vetëm çështja e brendshme, kemi dhe presione të jashtme.

Kriza politike artificiale nuk është e thjesht, pasi ka dhe nxitje nga jashtë, që Shqipëria mos të duket mirë. Pasi kemi çështjen edhe të dialogut Kosovë-Serbi. Ka një presion të madh për të dobësuar dhe pozitat e Kosovës.

Detyra ime është që ta bëjë me përgjegjësi detyrën që kam. Ky është pozicioni më i rëndësishëm në jetën time. Këtu nuk lejohet gabimi. E kam thënë; Nuk jam në punë, që më kërcënojnë mua… ‘do të bëjmë këtë’, do të bëjmë atë’.

Unë jam në mision që t’i shërbejë vendit që të mos shkojë atje ku shtyhet nga forca të jashtme që përdorin edhe forca të brendshme që Shqipëria të jetë një rast i dështuar. Na nxjerrin si çuna problematik, që nuk duhet të jemi”, tha Meta.